Ankohen blegtorët: Mos merrni vendime pa pyetur se ku pikon çatia

Nga Marjo Brakaj
25 Nëntor 2025, 19:07 | Ekonomi

Ankohen blegtorët: Mos merrni vendime pa pyetur se ku pikon çatia

Në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat u zhvillua një seancë dëgjimore me përfaqësues të blegtorëve. Këta të fundit u ankuan sa për skemën e kompensimit 10 për qind, aq edhe për faktin se ende nuk kanë marrë paratë nga Skema Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori. Në krah të tyre doli socialisti Erion Braçe.

“Ju lutem shumë, mos merrni vendime pa pyetur blegtorin dhe fermerin se ku i pikon çatia”, reagoi Gentjan Lalaj, Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit, raporton A2 CNN.

Blegtorët nuk janë të kënaqur nga rikthimi i kompensimit 10 për qind për çdo faturë që fermeri do të marrë nga grumbulluesi, i parashikuar për të hyrë në fuqi më 1 janar 2026. Ndryshe nga sa argumenton qeveria se do të formalizojë tregun, për blegtorët nuk zgjidh problemin kryesor të tyre, ndaj propozojnë që faturat për produktin që shesin t’i lëshojë vetë fermeri, pasi grumbulluesi deklaron sipas interesit të tij.

“Ne kërkojmë një barazim TVSH-je sado që të vendoset 20 me 20, 10 me 10, pesë me pesë sepse ne sot gjendemi në realitetin që fermerët shqiptarë që prodhojnë misër, nuk na i shesin dot produktet e tyre, sepse dhe ne nuk mund t'i blejmë dot. Nuk i blejmë dot për arsye sepse, ne nuk na njihet TVSH”, u shpreh Gentjan Lalaj, Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit, transmeton A2 CNN.

Në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, blegtorët u ankuan se ndonëse 6 muaj nga mbylla e aplikimeve, ende nuk kanë marrë fondet nga Skema Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori.

 “Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga mbyllja e aplikimeve dhe blegtorët ende nuk kanë përfituar asnjë qindarkë nga Skema Kombëtare. Fermat po përballen me kosto të rritura, borxhe te furnitorët dhe pasiguri totale për planifikimin e sezonit. Ne kemi kërkuar transparencë për procedurat dhe një afat të qartë se kur do të bëhen pagesat, sepse situata që po kalojnë fermat është zvarritur në mënyrë të pajustifikueshme”, tha Gentjan Lalaj, Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit, shkruan A2 CNN.

Në krahë të blegtorëve doli socialisti Erion Braçe, i cili nuk i kurseu kritikat as ndaj ministrit të ri të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

“Kjo historia që ministria thotë që do e bëjmë kështu siç themi ne, ka sjellë këtë gjendje. Ka dy muaj në detyrë ministri i Bujqësisë, mund të reflektonte, por tha që ‘jam i kënaqur’”, deklaroi Braçe

Në seancën dëgjimore, blegtorët kërkuan gjithashtu që produktet e bulmetit nga importi, pjesa më e madhe e tyre nga Serbia e Hungaria të jenë të identifikueshme në supermarkete e tregje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos