“As miq, as parti, as punë”, Vetëm 8 studentë ekselentë u punësuan në shtet vitin e shkuar

Nga Marjo Brakaj
21 Qershor 2024, 12:54 | Ekonomi

“As miq e as parti, por përparësi në bazë të parimit meritë-preferencë”. Këtë premtonte kryeministri Edi Rama për studentet ekselentë që kërkojnë të bëhen pjesë e administratës publike.

Por, kjo nuk po ndodh. Vetëm 8 studentë me rezultate të shkëlqyera u punësuan në shtet nga 42 gjatë 2022-shit. Edhe më e thellë rezulton rënia nëse shifrat krahasohen me vitin 2019 gjatë së cilit u punësuan 338 të rinj e të reja me nota 10 apo 9.

Mirela Arqimandriti, eksperte e tregut të punës, shprehet për A2 CNN: “Fatkeqësisht, Administrata Publike është e politizuar dhe nuk bazohet në meritokraci. Kjo i bën studentët ekselentë të mos gjejnë hapësirat e duhura pasi nuk kanë orientim publik”.

Të dhënat nga Departamenti i Administratës Publike tregojnë vitin e shkuar u punësuan gjithsej 838 vetë në shtet, ndërsa ekselentët zunë më pak se 1% në këtë total.

“Ata pastaj ndoshta preferojnë të punësohen në vende të huaja, ose në Shqipëri në privat. Në administratën publike mendoj se ka shumë probleme që kufizojnë të rinjtë të shpalosin potencialin e tyre”, shtoi Arqimandriti.

Arsyet e tjera për numrin e ulët të studentëve ekselentë të punësuar në administratën publike vitin e shkuar shtrihen edhe në drejtim të pagave vlerësojnë ekspertët. Helena Halilaj, pedagoge dhe eksperte e tregut të punës, thekson: “Duhet të kemi parasysh që rritja e rrogave nuk prek të gjitha pozicionet. Nuk është se ka uniformitet. Privati vijon të ketë paga më të mira dhe më shumë larmishmëri pozicionesh. Kemi gjithashtu shumë individë që vetëpunësohen”.

Të dhënat nga Departamenti i Administratës Publike tregojnë se për 1 082 vende të lira të shpallura vjet në administratën publike pati 14 584 aplikime. Thënë ndryshe, gjatë 2023 pati 13,5 aplikime për një vend pune, ndërkohë që në vitin 2022 ky tregues ishte 17,9 aplikime për çdo pozicion të lirë.

Nga gati 1 100 pozicione të shpallura vjet, u zunë vetëm 838 prej tyre. Thënë ndryshe u mbushën vetëm 77,5% e vendeve bosh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos