Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën mbi 261 miliardë lekë kredi deri në korrik. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, në raport me janar-korrikun e një viti më parë, huaja e re është zgjeruar me 29.2 miliardë lekë, ose 12.6 për qind.
“Arsyeja kryesore, siç është shprehur edhe Banka e Shqipërisë, lidhet me kreditë hipotekore për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Ky është sektori kryesor ku po investohet. Ka një rritje gati shtatëfish në raport me periudhat e mëhershme.” , tha Selim Blliku, ekspert për çështjet ekonomike.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se, për blerje banesash, në 7-mujorin janar-korrik, vetëm për blerjen e apartamenteve u morën nga bankat plot 53.2 miliardë lekë kredi “E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kreditimin për apartamente të reja. Gjithashtu, ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet.”
Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo për të zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën gati 173 miliardë lekë kredi në 7 muaj.
“Ritmet e kredisë së re te individët janë domethënëse, por është biznesi ai që mbart peshën kryesore në aktivitetin kreditues. Biznesi, veçanërisht ai i orientuar drejt turizmit, është shumë optimist.”, tha Selim Blliku, ekspert për çështjet ekonomike.
Duke ndjekur një trajektore të ngjashme në thuajse të gjithë shtatëmujorin, edhe në korrik bankat dhanë plot 38.2 miliardë lekë kredi të reja.
Në krahasim me korrikun e një viti më parë, huaja e re e dhënë muajin e kaluar u zgjerua me mbi 9.3 miliardë lekë, ose 32.2 për qind. (A2 Televizion)