“Në vitin 2027 Shqipëria do të jetë pjesë e Programit të Kohezionit Social të Bashkimit Evropian.” Të fituarat e mëdha do të jenë bashkitë. Për të kuptuar rëndësinë e këtij lajmi, mjafton të themi se fondet që do të vijnë nga përfshirja e Shqipërisë në “Kohezionin Social të Unionit” tejkalojnë edhe buxhetin që qeveria i jep pushtetit vendor. Por, asgjë nuk jepet pa kushte.
“Po për këtë duhet të bëhemi gati. Ju e dini shumë mirë, disa nga ju kanë bërë projekte me Bashkimin Europian. Nuk është një gjë që mund të bëhemi gati për 6 muaj apo për një vit. Që ne të jemi në nivelin e pritshëm nga qytetarët tanë, duhet të fillojmë të bashkëpunojmë që sot. Dhe kjo nuk është çështje e njërës palë apo tjetrës”, tha ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.
Po për disa bashki, 2027-a është shumë larg. Disa çështje kanë nevojë të zgjidhen me urgjencë.
“Është shumë e rëndësishme që qeveria të ndërhyjë për ujërat e zeza pasi ajo është nisja dhe fundi i sezonit turistik. Nëse ne nuk kemi ujëra të zeza atje, pastaj tjerat janë kot që flasim. Tjerat janë zbukurime, kot që flasim. Kjo është sfida. Kam folur edhe me Kryeministrin dhe ai është gati të na ndihmojë”, tha kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja.
E teksa për bashkitë bregdetare, hallet më të mëdha janë në drejtim të krijimit të kushteve për mirëpritjen e turistëve, në vendi problematikat rezultojnë edhe më të mëdha.
“Mirdita fatkeqësisht ka pasur një tkurrje vitet e fundit në mbylljen e shkollave dhe uljen e numrit të nxënësve për shkak të lëvizjeve demografike. Një tjetër detyrë e bashkive është mirëmbajtja e rrugëve dhe kjo për ne është një sfidë shumë e madhe”, tha kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi.
Në mbledhjen me krye-bashkiakët, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku njoftoi se në javët në vijim Shqipëria do të zhvillojë tryeza pune me Bashkimin Europian për të negociuar kapitujt e anëtarësimit. (A2 Televizion)