Një tjetër rritje e pagës minimale pritet të bëhet nga qeveria. Teksa flet për një rritje graduale, Ministria e Financave tregon qëllimin e saj
Do të aplikohet rritje graduale e pagës minimale për efekt të kontributeve dhe pagës minimale për efekt të tatimit mbi pagën, duke synuar njehsimin e tyre në të ardhmen.
Ministria e Financave
Pas rritjes së fundit të pagës minimale në 3 mujorin e dytë të 2023 në 40 mijë lekë qeveria parashikon ndryshime për 185 mijë përfitues duke filluar nga 2025. Por ekspertët e tregut e shohin vendimin të lidhur me fushatën zgjedhore për parlamentaret e pranverës që vjen.
“Është propagandë në rritje rroge por pa thënë se në shpatullat e kujt rëndon. Janë taksat që paguajnë qytetarët. Ka një masë të madhe në pagë minimale, në punë të pakualifikuara synohet të joshet do e shohin rritjen jo si rezultat i aftësive të tyre por si dhuratë të partisë”, thotë për A2 CNN, Zef Preçi, ekspert ekonomie.
Sipas strategjisë fiskale 2024-2027 synohet përmirësim i progresivitetit në skemën aktuale të taksimit të të ardhurave nga punësimi, duke lehtësuar kategoritë me të ardhura të mesme dhe duke rritur pragun e aplikimit të normës marxhinale. Por sipas ekspertëve ndryshimet nuk po bëhen me një planë mirëmenduar.
“Janë listë dëshirash të pambështetura me faturën përkatëse. Dhe çdo rritje pagash administrative siç ka ndodhur me pagën minimale, shton koston në buxhet mbi në investime publike, që frenohen. Dhe shton presionin mbi komitetin e biznesit për të mos respektuar kushtet e tregut dhe natyrshëm që përkthehet në vazhdimin e sektorit informal. Duhet rritur mbillet pastaj korret, por duhet në baza të sakta”, thotë Preçi.
Ndonëse do të hartojë një plan sektorial për identifikimin e punës së padeklaruar dhe nën deklaruar, Ministria e Financave parashikon përfshirjen në skemën e kontribuuesve të 5.5% pozicione të reja. (A2 Televizion)