Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë të martë miqësoren përballë Jordanisë, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Një test që do t’i vlejë shumë trajnerit Silvinjo, si për lojtarët e rinj në skuadër, ashtu edhe për ata që nuk kanë marrë shumë minuta në këto kualifikuese. Për këtë arsye, priten shumë ndryshime në formacionin me 11 titullarët që do të zbresin në fushë.
Në portë nuk do të jetë i përhershmi Tomas Strakosha, por shtatlarti i Egnatias, Mario Dajsinani. Mbrojtja do të rreshtohet me Balliun në të djathtë dhe Naser Alijin në të majtë, ndërsa në qendër do të luajnë Klisman Cake dhe Enea Mihaj.
Edhe mesfusha do të ketë ndryshime, me Yasir Ramadanin të shoqëruar nga Medon Berisha dhe Nedim Bajrami, ndërkohë që në sulm pritet të jenë Arbër Hoxha në të majtë, Jasir Asani në të djathtë dhe Mirlind Daku në majë të sulmit, shkruan A2 CNN.
Ky mund të jetë një formacion i mundshëm nga trajneri brazilian për këtë miqësore, ndonëse qëllimi kryesor është të shihen të gjithë lojtarët, një provë e fundit para dy ndeshjeve vendimtare të muajit nëntor ndaj Andorrës dhe Anglisë, që do të japin verdiktet finale për rrugëtimin e kuqezinjve drejt Botërorit 2026.
Miqësorja Shqipëri–Jordani do të luhet këtë të martë, duke nisur prej orës 19:00. (A2 Televizion)