Të merresh me prodhime bujqësore në fushën e Dropullit po bëhet çdo ditë e më e vështirë, deri në pamundësi.
Resul Pasha, një nga fermerët e zonës, prej të paktën 20 vitesh ka marrë me qira 6 hektarë tokë, me shpresën se përmes prodhimeve bujqësore do të mund të konsolidonte biznesin e tij.
Por sot, gjendja është e tillë që ai ka mbetur buzë rrugës, me shpresë se do të arrijë të shesë qoftë edhe një pjesë të vogël të prodhimit që i ka mbetur në ara.
Duke parë situatën në të cilën ndodhet, vetvetiu të lind pyetja nëse ka pasur ndonjëherë mbështetje nga shteti për aktivitetin e tij. Dhe, me sa duket, fermerit i ka sosur durimi. Ai thotë se nuk ka më asgjë për të shpenzuar, shkruan A2 CNN.
Edhe ata pak banorë që kishin zgjedhur të qëndronin në zonat tashmë të shpopulluara të Dropullit, po largohen të zhgënjyer, për shkak të pamundësisë për të siguruar jetesën. (A2 Televizion)