Bitcoin, monedha virtuale më e përhapur në botë po e humb forcën. Nga gati 100 mijë dollarë në fillim-vit, kriptovaluta po vlen rreth 63 mijë dollarë. Goditja më e fundit ka ardhur nga konflikti në Lindjen e Mesme i cili ka futur në pasiguri tregjet.

“Luhatjet e tregjeve financiare janë normale, por kriptovalutat mbeten ndër asetet më të ndjeshme ndaj zhvillimeve globale. Investitorët shpesh reagojnë shpejt kur rreziku perceptohet më i lartë”, thotë Denisa Kele, eksperte e kriptovalutave
Ekspertët shpjegojnë se rënia nuk është e papritur në situata konflikti gjeopolitik. Kur tensionet rriten, tregjet financiare reagojnë me shitje paniku, ndërsa kriptovalutat, të cilat konsiderohen më spekulative, preken më shpejt nga lëvizjet e kapitalit afatshkurtër.
“Megjithatë, rëniet e forta nuk do të thotë domosdoshmërisht se tregu i kriptove është në krizë afatgjatë, pasi këto asete kanë treguar edhe rikuperime të shpejta në të kaluarën”, shprehet Kele.
Të dhënat nga Coin Market Cap tregon se rënia ka përfshirë edhe monedhat e tjera digjitale. Vlera e Ethereum ka rënë në më pak se 2 mijë dollarë, Binance 622 dhe Solana rreth 85 dollarë.
“Ecuria e mëtejshme do të varet nga stabiliteti gjeopolitik dhe nga besimi i investitorëve, të cilët janë faktori kryesor që përcakton drejtimin e tregut”, thekson ajo.
Në Shqipëri përllogaritet të jenë deri në 50 mijë portofole investime në kriptomonedha, kryesisht në Bitcoin vlera e të cilave shkon në rreth 90 milionë dollarë. Goditja e kriptomonedhave reflektohet rrjedhimisht edhe në portofolet digjitale të këtyre të fundit. (A2 Televizion)