Vitin e shkuar Shqipëria humbi 2.4 milionë dollarë nga ndotja e plastikës. Pjesa më e madhe e këtyre dëmeve sipas studimit, “Çmimi i Ndotjes Plastike” iu shkaktua sektorit të turizmit me gati 1.5 milionë dollarë, ndjekur nga peshkimi dhe akuakultura me 450 mijë dollarë.
Me qëllim frenimin e ndotjes, nga bizneset e hotelerive, restoranteve dhe kafeneve ka nisur zbatimi i nismës “Hotele me zero plastikë”.
“Ne po punojmë drejtpërdrejt me bizneset për t’i orientuar drejt alternativave të qëndrueshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për eliminimin e produkteve njëpërdorimshme, por për një ndryshim kulture në mënyrën si operojnë. Çdo hap i vogël në këtë drejtim përkthehet në më pak mbetje dhe më pak kosto për mjedisin”, u shpreh Daniela Mane, Instituti për Ruajtjen e Natyrës.
Aktualisht ka një total prej 139 milionë tonësh plastikë në oqeanet, detet dhe lumenjtë e botës. Sipas studimit çdo vit, ndotja nga plastika u kushton vendeve bregdetare midis 6 dhe 19.2 miliardë dollarë. Bizneset e para që kanë përfaqësuar nismën e ushtrojnë aktivitetin e tyre në Elbasan.
“Klientët po bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm dhe e vlerësojnë përgjegjësinë mjedisore. Kemi zëvendësuar shumë produkte plastike me alternativa të ripërdorshme apo biodegraduese. Fillimisht kërkon investim, por në afatgjatë rezulton më efikase dhe rrit imazhin e biznesit”, theksoi Brian Hoxha, administrator rrjetesh hotelerie.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik vlerëson se ndotja globale nga plastika, mund të trefishohet në 1 miliardë ton deri në vitin 2060. Ndaj për t’i paraprirë të pakthyeshmes, një dorë në këtë drejtim po japin edhe bashkitë.
“Ne kemi shtuar kontrollet dhe fushatat ndërgjegjësuese për të ulur përdorimin e materialeve të dëmshme. Paralelisht po nxisim ndarjen në burim dhe riciklimin, duke bashkëpunuar me bizneset dhe komunitetin. Pa përfshirjen e qytetarëve, çdo masë mbetet e pamjaftueshme”, deklaroi Lorena Haxhiymeri, Drejtoria e Mjedisit, Elbasan.
Me qëllim reduktimin e ndotjes, prej 1 korrikut të vitit 2022 qeveria ndaloi përdorimin dhe tregtimin e qeseve të holla plastike. Por, tre vite e gjysmë më pas, të prodhuara ilegalisht apo hyrë kontrabandë, ato i gjen në thuajse çdo tezgë ky shiten kryesisht fruta e perime duke përfunduar më pas në lumen e dete. (A2 Televizion)