Pikëtakimi në Tiranë, Shqipëria po kërkon investitorë. Sllovenia, tregje të reja

Nga Marjo Brakaj
5 Shkurt 2026, 18:13 | Ekonomi

Shqipëria po kërkon investitorë, ndërsa Sllovenia tregje të reja. Pikëtakim për të përmbushur dy nevojat u bë Tirana e cila u shndërrua në qendër të dialogut ekonomik dypalësh mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Forumi ekonomik shërbeu si një platformë e rëndësishme bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave dhe eksplorimin e mundësive konkrete të investimit, duke u dhënë mundësi kompanive sllovene dhe shqiptare të njihen më nga afër me potencialet e ndërsjella të tregjeve respective, shkruan A2.

Laura Saro, drejtoreshë e AIDA, u shpreh: “Jemi partnerët tuaj për të gjetur partnerët e duhur në shqipëri. Ne besojmë se bizneset dhe pronarët nuk janë thjesht vizitorë, por partnerët tanë. Ne kemi trajtim të barabartë, pra të njëjtat kërkesa dhe procedura qoftë për investitorët e huaj, ashtu edhe për sipërmarrësit tanë. Shërbimet tona janë të digjitalizuara dhe mund të provoni të investoni. Ne jemi këtu t'ju ndihmojmë dhe udhëzojmë për mundësitë e biznesit dhe prioritetet që ka Shqipëria. Mendoj se ka shumë mundësi për t'u kthyer në projekte të vërteta”.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se nga viti në vit ka një rritje të investimeve sllovene në Shqipëri të cilat kapën shifrën e 48 milionë eurove vitin e shkuar. Pjesëmarrësit e vlerësuan forumin si një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e rrjetit të kontakteve profesionale dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

Natasa Kos, drejtoreshë e “Spirit of Slovenia”, u shpreh: “Shqipëria është një ndër tregjet më dinamike në zhvillim në rajon dhe për ne përfaqëson një mundësi shumë të rëndësishme bashkëpunimi ekonomik. Në vitet e fundit kemi vënë re një interes gjithnjë e më të madh nga kompanitë sllovene, të cilat po e shohin Shqipërinë jo vetëm si një treg me potencial, por edhe si një pikë strategjike për zgjerimin e aktivitetit të tyre në Ballkan. Bizneset nga Sllovenia vijojnë të vijnë në Shqipëri, të nxitura nga rritja ekonomike, projektet në infrastrukturë, zhvillimi i turizmit dhe energjisë, si edhe nga mundësitë që ofron sektori i prodhimit dhe shërbimeve”.

Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se importet nga Sllovenia drejt vendit tonë në vitin 2025 arritën në rreth 60 milionë euro, ndërsa eksportet drejt Sllovenisë llogariten 21 milionë euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos