Dyshime për evazion, postat private vihen “në lupën” e institucioneve të drejtësisë

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2026, 15:25 | Ekonomi

Postat private në Tiranë janë vënë “në lupën” e institucioneve të drejtësisë. Prokuroria e kryeqytetit, pas hetimeve të kryera ka gjetur se disa biznese në këtë sektor po kryejnë evazion fiskale duke shitur mallra pa faturë.

“Aktualisht mendohet se ka 20-25 mijë pako çdo ditë me të ardhura 300-350 milionë euro në vit. Për fatin e keq ky treg nuk po rritet për shkak të gangrenizimit nga informaliteti”, u shpreh Rezart Lahi, sipërmarrës, ekspert i tregut të shitjeve “online”.

Tregtia online mbetet industria me potencialin më të lartë në Shqipëri. Kjo për faktin se ka qenë shumë pak e zhvilluar dhe shqiptarët kanë qenë tradicionale në blerjet e tyre, duke preferuar dyqanet fizike. Por lulëzimi i “E-Commerce” shoqërohet edhe me problematikën e informalitetit të lartë.

“Duhet ndaluar “cash on delivery”. Pra çdo blerje online duhet bërë në faqet Web dhe jo në rrjetet sociale. Gjithashtu pagesa duhet bërë me anë të kartave bankare, me qëllim që të ketë një lloj gjurmimi”, tha Lahi.

Një në pesë shqiptarë blejnë në shumë faqe që ofrojnë produkte janë tërësisht informale, të paregjistruara dhe pa një adresë, çka përbën rrezik për konsumatorët. Rregullimi i tregut do të sillte efekte pozitive sa për bizneset e ndershme në këtë sektor, aq edhe për qytetarët.

“Rritja e tregut gjatë dhe pas periudhës së pandemisë ndodhi kryesisht si pasojë e shtimit të faqeve të shitjeve online, por në rrjetet sociale. Rrjedhimisht u rrit informaliteti dhe subjektet e fomralizuara u demoralizuan dhe kjo e dëmtoi procesin e rritjes së e-commerce”, vijoi sipërmarrësi Lahi.

Edhe pse prej një viti kontrollet kundër evazionit fiskal kanë qenë të shumta, shitjet online mbetën përsëri jashtë vëmendjes, dhe në këtë sektor është thuajse e pamundur të identifikosh shkelësin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos