Eksperimenti për të sjellë punëtorë nga jashtë do të vazhdojë. Pas Filipineve dhe Bangladeshit, Shqipëria i ka hedhur sytë te Indonezia. Lajmin e dha zëvendësministrja indoneziane e Mbrojtjes së Punëtorëve Migrantë, Christina Aryani.
“Sektorët e mikpritjes dhe prodhimit kanë nevojë për qindra profesionistë të kualifikuar. Mundësitë përfshijnë kontrata pune 2–3-vjeçare në industrinë e hotelerisë, si dhe perspektiva të mira në industrinë automobilistike, e nxitur nga investime të reja. Qeveria indoneziane po nxit gjithashtu hartimin e memorandumeve të mirëkuptimit me Bullgarinë dhe Shqipërinë, si instrument i rëndësishëm për të garantuar një vendosje të sigurt, të rregullt, të mbrojtur dhe me kosto të përballueshme për PMI-të”, tha Aryani.
Kryesisht për sektorin fason dhe atë të turizmit, janë rreth 40 mijë të huaj që pritet të vijnë në Shqipëri në muajt në vijim.
Emin Shini, ekspert i tregut të punës, u shpreh për A2: “Kjo është një zgjidhje afatshkurtër. Është një eksperiment, rezultatet e të cilit janë treguar edhe më herët. Vëmendja jonë duhet të jetë te të rinjtë në vend. Ka edhe shumë kosto për sjelljen e tyre”.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se ndërkohë janë 74 730 shqiptarë të regjistruar si të papunë pranë zyrave të punës. Pjesa më e madhe janë me arsim të mesëm, por janë edhe afro 7 mijë të tjerë me arsim të lartë. Nga ana tjetër, janë mbi 32 mijë punëkërkues të regjistruar që trajtohen me ndihmë ekonomike.
“Unë kam një mendim që janë punonjës nga Azia. Në këto vite eksperimenti kanë treguar që kanë rendiment dhe nuk e shohin Shqipërinë vetëm si vend tranzit drejt Perëndimit”, theksoi Shini.
Shtatorin e vitit të shkuar ishte Presidenti Bajram Begaj i cili i parashtroi kërkesën për të marrë punonjës prej andej kryeministrit të qeverisë teknike të Bangladeshit, Muhammad Yunus gjatë punimeve të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. (A2 Televizion)