Vitin e shkuar, çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera u shtrenjtuan mesatarisht me 2.4 për qind. Në krahasim me vitin 2024 treguesi i zhvlerësimit të parasë në raport me shtrenjtimin e çmimeve u rrite me 0.2 për qind. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se ecuria e inflacionit gjatë vitit të shkuar është luhatur rreth nivelit mesatar 2.4 për qind. Në dhjetor, në prag të festave treguesi regjistroi nivelin 2.3 për qind.
“Politikat e Bankës së Shqipërisë, politika monetare që ka ndjekur për rritjen e normës bazë të interesit, shoqëruar nga qetësimi i tregjeve ku ne importojmë, kanë sjellë një lloj zbutjeje të normës së inflacionit duke e çuar në këto nivele”, tha eksperti i ekonomisë, Adrian Civici.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në 12 muajt e lënë pas, gjithashtu ushqimet dhe pijet u shtrenjtuan me ritme më të ngadalta. Inflacioni te kjo kategori produktesh ishte 2.8 për qind nga 2.4 për qind gjatë 2024-s. Mirëpo treguesi nuk përputhet me çmimet e produkteve në tregje.
“Çmimet vetëm rriten. 1600 lekë një kg domate. Çdo gjë vetëm shtrenjtohet. Nuk di ça të them”, thane qytetarët për A2 CNN.
Po pse nuk ka një stabilizim të çmimeve edhe në tregje?
“Në gjykimin tim, te ushqimet dhe pijet inflacioni ka mbetur në nivele të larta si pasojë e mbajtjes së çmimeve në nivele të larta nga tregtarët duke zgjeruar marzhet e tyre të fitimit”, tha eksperti Civici.
Ndërkohë me gjithë flukset e shtuara te turistët, inflacioni te baret dhe restorantet mbeti në nivelet më të ulëta historike, në mesatarisht 2.2 për qind.
“Kjo është një ecuri normale në fundvit. Ajo që më shqetëson mua janë rimet e rritjes së çmimeve që tejkalojnë edhe Bashkimin Europian”, vijoi Civici.
Me gjithë ecurinë e mirë në dy vitet e fundit, vala e krizës së çmimeve në Shqipëri mund të rikthehet. Paralajmërimi për një jetesë edhe më të vështirë që vjen nga Komsioni Evropian në raportin e fundit për ekonominë e vendit. (A2 Televizion)