Shoqata e Bankave kundër tavanit 500 mijë lekë për pagesat "cash”: Është shumë i lartë

Nga Marjo Brakaj
26 Nëntor 2025, 10:53 | Ekonomi

Shoqata e Bankave kundër tavanit 500 mijë lekë për pagesat

Nga viti i ardhshëm, shuma maksimale që mund të paguhet “cash” për të blerë do të jetë 500 mijë lekë. Por Shoqata e Bankave është kundër këtij tavani, duke e konsideruar atë shumë të lartë. Ajo kërkon që pagesat në dorë të kufizohen në shuma jo më të larta se 60 mijë lekë.

Për të blerë një automjet, apartament, apo çdo mall e shërbim tjetër të kushtueshëm, shqiptarët mund të paguajnë kesh të gjithë shumën, pavarësisht se sa e lartë mund të jetë ajo. Por nga viti i ardhshëm, për pagesat “cash” vendoset një tavan. Qytetarët do mund të paguajnë në dorë maksimalisht 500 mijë lekë sipas projektligjit për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, pjesë e paketës fiskale 2026. Por Shoqata e Bankave është kundër.

“Vendosja për individët e një tavani 500.000 lekë është jashtë çdo analize, jashtë çdo eksperiencë, jashtë çdo përvoje. Ne kemi eksperienca, ka si vende Gjermania që ka 10.000 euro, veprimin e cash, Holanda e ka 3000 euro, Italian duhet ka 2000 euro. Po ka Greqia, Maqedonia e Veriut, Hungaria e ka nga 500 euro. Po si ka mundësi t'i lë një individ 500,000 lekë, kur rroga mesatare, deri 90,000 lekë. Çfarë do bëjmë?”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, raporton A2 CNN.

Ndërkohë deri në fund të qershorit 2026 të gjithë bizneset në fushën e turizmit dhe të transportit duhet të pajisen me terminalin POS për të bërë pagesa me kartë dhe deri në fund të vitit të ardhshëm e gjithë sipërmarrja duhet të ketë këtë alternativë. Por shoqata e bankave ka rezerva për afatet.

“Vendosja e një kanali alternativ për pagesat është mirëpritur, por kemi problem me afatin se deri në fund të vitit 2026 kemi frikë se s’do e realizojmë”, shprehet Brumbulli, shkruan A2 CNN.

Maqedonia e Veriut është një prej vendeve që ka miratuar një normë tavan prej 500 eurosh për pagesat në dorë. Aktualisht, legjislacioni shqiptar përmban kufizimin për pagesat kesh vetëm për bizneset të cilat janë të fiksuara në maksimalisht 150 mijë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos