Kreu i shoqatës së Operatorëve Turistikë Zak Topuzi, duke folur për projektin e Zvërnecit, theksoi nevojën për investime në resorte, pasi Shqipëria nuk është ende në hartën globale të turizmit.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Topuzi theksoi se në Vlorë mund të krijohet një nyje mes Zvërnecit dhe aeroportit, që mund të identifikojë Shqipërinë si destinacion luksi.
“Shqipërisë i mungojnë kapacitetet e hoteleve me 5 yje apo resorte, ka vetëm 1 për qind, falë politikave të gabuara në 36 vjet. Ndërkohë Mali i Zi dhe Kroacia ka 10 herë më tepër kapacitete të kësaj kategorie. Kjo bën që lloji i turistëve në Shqipëri të jenë low cost, s’lejon të kesh paga më të larta dhe të ardhura më të larta. Duke mos ndërtuar resorte, hotele të mëdha, për të thithur këtë kategori turistësh, ne kemi ndërtuar vila deri më tani. Nëse do ngremë apartamente dhe do t’i japim nga 50 euro nuk kemi çfarë presim. Duhen ndërtuar zona mixed use. Do fitojnë edhe qytetarët e zakonshëm”, tha Topuzi.
“Kjo nyje e përbashkët aty, me aeroport, me Zvërnecin, me Sazanin, dhe me portin, mund ta identifikojë Shqipërinë si destinacion luksi. Deri tani ti nuk del në hartën globale të turizmit”, shtoi ai. (A2 Televizion)