"Dyfisho sipërmarrjen tënde", 250 milionë euro kredi me norma të ulëta interesi. 30 milionë euro garanci

Nga Marjo Brakaj
13 Maj 2026, 17:28 | Ekonomi

“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, programit të ri të bazuar në kredi të buta që synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në zgjerimin e aktivitetit të tyre, iu dha drita jeshile këtë të mërkurë me firmosjen e memorandumit nga bankat, shteti dhe sipërmarrja.

“Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të vihet në dispozicion një linjë kredie me një interes minimal 2% dhe maksimal 3% dhe këtu dhe një herë kërkojmë bashkëpunim dhe solidaritet të plotë nga ana juaj, por natyrisht e shoqëruar me një garanci sovrane të qeverisë shqiptare për të ulur në mënyrë kuptimplotë riskun e kredisë për bankat. Një garanci sovrane që varion nga 30% në 70% sipas nivelit të vlerësuar të riskut”, tha Rama, shkruan A2.

Banka e Shqipërisë u jep bankave tregtare 250 milionë euro, në mënyrë që ato të japin kredi me norma të ulta dhe një garanci sovrane 30 milionë euro do të jetë në dispozicion të bujqësisë dhe bizneseve të vogla e të mesme.

Gent Sejko, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, u shpreh: “Segmenti i ndërmarrjeve të vogla e të mesme - i cili përbën shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, ka një akses relativisht të ulët në kredi. Duke përfituar nga rasti, dëshiroj t’i bëj thirrje industrisë bankare për të pasur një vëmendje më të madhe ndaj financimit të sektorit të SME-ve, e veçanërisht atij agro”.

Shteti do të garantojë kolateral nga 30-70% për kreditë së butë që do të marrin sipërmarrjet pranë bankave, ndaj kryeministri Edi Rama kërkon nga bankat më shumë guxim për të financuar këto sektorë të ekonomisë.

Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, theksoi: “U mendua fillimisht për bujqësinë por vlerësuam që të shtrihet edhe tek SME-të. Ky program synon të nxisë investimet në digjitalizim, në linja prodhimi, në standarde etj.”.

Ndërsa Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se vlera e garancisë do të rritet, dhe gjithashtu do të ketë edhe grante për të sipërmarrjet që të bëjnë planet e biznesit: “Nga vlera 30 milionë që është aktualisht do të rritet gradualisht, bazuar në kërkesat që do të na vijnë nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Paralelisht me linjën e kredisë dhe garancinë sovrane, qeveria do të ofrojë dhe grante për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat do të mbështeten për përgatitjen e biznes planeve apo projekteve të investimit”.

Përmes këtij programi sipërmarrjet e sektorit të bujqësisë, agropërpunimit, agroturizmat, apo edhe nga sektorë të tjerë të ekonomisë, do të mund të aplikojnë për të marrë kredi pranë bankave, me shtetin garant dhe me norma të buta interesi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos