Ekonomia e vendit u rrit me 3.44 për qind gjatë vitit të shkuar. Në krahasim me 2022-shin, ritmet e zgjerimit të Prodhimit të Brendshëm Bruto janë ngadalësuar, ndërsa në raport me 2021-shin janë përgjysmuar.
Gjysma e dytë e vitit rezulton të ketë qenë më e mbarë për ekonominë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun korrik-dhjetor ekonomia u rrit mesatarisht me 3.8.
Ndërtimi bashkë me shitblerjen e pronave kanë dhënë kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë vitit të shkuar. Në raport me 2022-shin këta sektorë u zgjeruan me respektivisht 11.3 dhe 6.69 pikë përqindje. rritje të kënaqshme kanë pasur edhe sektorët në drejtim të shërbimeve, informacioni e komunikimi, aktivitet financiare apo tregtia.
Bujqësia dhe industria nga ana tjetër, dy ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve janë tkurrur gjatë 2023-shit.
Ndërkohë të dhënat e INSTAT po konfirmojnë rrudhje të konsumit vendas. Ndonëse Shqipëria shënoi rekord turistësh, konsumi i popullatës ka qenë i dobët duke u rritur me vetëm 2.96 për qind. Nga ana tjetër, “konsumi i qeverisë” u zgjerua me plotë 9.25 për qind. Të dhënat konfirmojnë krizën e eksporteve dhe importeve që u tkurrën me 16.4 dhe 4.45 për qind krahasuar me vitin 2022.
Rritja ekonomike gjatë vitit të shkuar rezultoi më e ulët se pritshmëritë e Ministrisë së Financave e cila parashikonte zgjerim të Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivelin 3.7 për qind. (A2 Televizion)