Çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare shënuan rritje në korrik, të nxitura kryesisht nga shtrenjtimi i drithërave, zarzavateve dhe produkteve të qumështit. Efektet pritet të ndihen edhe në Shqipëri, veçanërisht për produktet ku vendi ka varësi të lartë nga importi. Ekspertët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë përmes lehtësimit të TVSH-së në import, për të frenuar shtrenjtimin dhe një valë të re inflacioni.
Çmimet e ushqimeve në botë po rriten këtë fund-verë. Matjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se në korrik, indeksi shtrenjtësisë u rrit në 131.1 pikë. Në raport me qershorin ky tregues është zgjeruar me 0.8 pikë.

Ndikimin më të madh në zgjerimin e indeksit në nivelin më të lartë në tre vjet muaj e ka dhënë shtrenjtimi i drithit dhe zarzavateve. Po sa rrezik ka që këto efekte të përcillen shpejt edhe në Shqipëri?
“Rritja e këtyre produkteve produkti është nxitur nga shqetësimet për rendiment më të ulët se që pritej të drithit dhe zarzavateve aty ku importojmë. Tensionet gjeo-politike kanë bërë të vetën gjithashtu.. Nuk duhet të shqetësohemi. Tregtarët kanë gjetur tregje të reja. Madje në dijeninë time një anije është duke ardhur”, thotë Theodhor Kristuli, Unioni Agroushqimor Shqiptar.
Bashkë me drithin dhe zarzavatet, edhe qumështi dhe nën-produktet e tij po vijojnë të jenë të shtrenjta në botë. Sipas matjeve të FAO, indeksi i çmimeve te kjo kategori produktesh muajin e shkuar u rrit në 113.8 pikë nga 110 pikë në qershor.

Kjo pritet të reflektohet shpejt edhe në tregjet e vendit për shkak të varësisë së lartë nga importi për këto kategori produktesh
“Fermeri nuk mund të prodhojë për patriotizëm. Kur kostot e prodhimit janë të larta, rrjedhimisht nuk ka leverdi. Serbia nga ku ne importojmë i ka rritur çmimet e qumështit dhe nën-produkteve të rij e rrjedhimisht te ne do vijë më shtrenjtë”, u shpreh Theodhor Kristuli, Unioni Agroushqimor Shqiptar.
Çmimet e mishit dhe nënprodukteve të tij u zbutën lehtë në korrik. Indeksi i çmimeve te kjo kategori produktesh muajin e shkuar ra në 127.7 pikë nga 1311 pikë në qershor.

Për njohës të tregtisë së jashtme, me krizën e çmimeve që pritet të bëhet më e fortë, qeveria duhet të ndërhyjë duke ulur tatimin mbi vlerën e shtuar në import me qëllim parandalimin e shtrenjtimit të çmimeve në vend.
“Qeveria ka arkëtuar shumë para nga TVSh në import. Nuk ka kuptim që arka e shtetit të mbushet kaq shumë e qytetarët të mbajnë barrën. Duhet disi lehtësi”, tha Theodhor Kristuli, Unioni Agroushqimor Shqiptar.

Sipas vlerësimeve Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, çmimet pritet të rriten edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit duke rrezikuar rikthimin e valës së inflacionit në botë. (A2 Televizion)