Shqipëria nuk po arrin dot të thithë financimin e huaj. Në gjysmën e parë të vitit, vendi arriti të merrte vetëm një të tretën e parave që të huajt japin me qëllim kryerjen e investimeve. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se nga më shumë se 10 miliardë lekë të planifikuara, deri në fund të qershorit u morën vetëm 7.2 miliardë, shkruan A2 CNN.
Ndër të tjera, nuk u arritën të disbursoheshin 4.1 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes në investimin që do bëhej në repartin ushtarak të Tiranës për forcat e luftimit, ndërsa 1. 7 miliardë lekë nuk iu akorduan sërish Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ministria e Financave: “Niveli i përthithjes së financimit të huaj nuk përcaktohet vetëm nga fondet e vëna në dispozicion, por edhe nga ecuria e projekteve dhe përmbushja në kohë e procedurave të nevojshme për disbursimin e tyre”.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është se nga viti në vit, Shqipëria po merr më pak financim të huaj. Nëse në 2018-n, vendi arriti të merrte edhe më shumë se shuma e planifikuar, vitin e shkuar u mor vetëm 43.8 e fondit në dispozicion.
Ministria e Financave: “Vonesat në prokurim, miratimet teknike, shpronësimet apo në zbatimin e kontratave mund të ndikojnë në ritmin e disbursimit të fondeve. Për këtë arsye, diferenca ndërmjet financimit të angazhuar dhe fondeve të disbursuara lidhet kryesisht me kohën e zbatimit të projekteve dhe jo me mungesën e financimit të huaj në dispozicion”. (A2 Televizion)