"Faturë e kripur", Shqipëria paguan kostot e pabarazisë dhe padrejtësive me emigracionin

Nga Marinela Lina
20 Shkurt 2024, 14:45 | Ekonomi

Çmimi i pabarazisë është i lartë. Edhe më shumë kushton padrejtësia. Pas më shumë se tri dekadash nga rënia e regjimit komunist, Shqipëria konsiderohet ende si “vendi me flukset më të larta të emigrimit”. Kjo, më shumë sesa nga mungesa e punës, nga humbja e shpresës, trajtimi i drejtë e i barabartë.

“Ka padrejtësi në tregu e punës. Ka pabarazi në trajtimin e punonjësve, të kushteve të tyre. Ka padrejtësi në mosrespektimin e kodit të punës. Është një kompleks problematikash e sfidash. Te ne në fakt është një plagë e shkaktuara nga padrejtësitë shoqërore”, thotë Koli Sinjari, Kryetar i Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.

20 shkurti shënon Ditën Botërore të Drejtësisë Shoqërore. Ideja e përkujtimit është pranimi i nevojës për akses të drejtë në burime dhe mundësi, dhe që shoqëritë të bazohen tek të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Por duket se Shqipëria ka ende për të bërë për të shkuar te “barazia shoqërore” dhe rruga për aty sipas ekspertëve duhet të nisë te minimumi jetik.

“U bënë disa vite që flasim për minimumin jetik. U bënë disa studime pjesë e së cilave kemi qenë edhe ne, por akoma Shqipëria nuk e ka përcaktuar minimumin jetik. Sigurisht ne si ekspertë e dimë edhe arsyen se pse kjo nuk ndodh. Minimumi jetik përcakton themelet e një shtëpie dhe mbi të përcaktohen ndihma ekonomike, pagesa e papunësisë, pensionet etj.”, tregon Naim Hasa, ekspert i sistemit të pensioneve.

Padrejtësia nuk është vetëm një fenomen shqiptar dhe ky është një fakt i pakundështueshëm. Por ajo që e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera është fati se të zgjedhurit për të drejtuar shpesh dëmtojnë dyfish... njerëzit dhe vendin.

“Se padrejtësia e bërë nga zyrtari i shtetit, në një moment kthehet në kosto për vetë shtetin. A e dini se në vitin 2018 shteti ka paguar 4.8 milionë euro, llogaritur me një pagë mesatare 50 mijë dëmshpërblime për heqje të padrejta nga puna, ndërsa në 2017-n, 8 milionë euro”, tha Geri Shella, drejtor i qendrës “Infoçip”.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, barazia gjinore, aksesi në drejtësi dhe të drejtat e minoriteteve përbëjnë konceptin e “drejtësisë shoqërore”. Sipas OKB-së, ato përbëjnë shtyllat e zhvillimit të një shoqërie të fortë dhe të qëndrueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos