Një analizë e dokumenteve të rrjedhura nga grupi i hakerave “Black Moon” tregon se Rusia po ndihmon Kinën në përgatitjen e forcave të saj ajrore për një mundësi sulmi ndaj Tajvanit. Analiza, e bërë nga Royal United Services Institute me bazë në Londër, bazohet në rreth 800 faqe dokumentesh, përfshirë kontrata dhe lista pajisjesh që Moska do t’i furnizonte Pekinit.
Dokumentet përmendin takime mes delegacioneve ruse dhe kineze, afatet për pagesa dhe dërgesa të sistemeve të lundrimit me parashutë dhe mjeteve amfibie. Megjithatë, nuk ka prova që Kina ka paguar ose ka marrë pajisjet. Analistët sugjerojnë se kjo mbështetje mund të shpejtojë programin ajror të Kinës me 10-15 vjet, duke ofruar eksperiencë ruse në komandim dhe kontroll të forcave parashutiste, gjë që Pekini ende nuk e ka.
Dokumentet përfshijnë shitjen e 37 mjeteve të lehta amfibie, 11 armëve kundër-tank, 11 transportuesve të blinduar ajrorë dhe mjeteve komanduese, me kosto mbi 210 milionë dollarë. Të gjitha pajisjet do të përshtaten me sistemet kineze të komunikimit dhe municionin e vendit.
Analistët thonë se pajisjet dhe trajnimi do të ndihmojnë Kinën të jetë më e përgatitur për një pushtim të mundshëm. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë paralajmëruar prej kohësh për rrezikun e një pushtimi të mundshëm, ndërsa Kina ka përshpejtuar modernizimin e ushtrisë dhe pretendon se Tajvani është pjesë e saj.
Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, theksoi rritjen e shpejtë të kapaciteteve ushtarake kineze dhe ndikimin e saj në prodhimin global të mbrojtjes, duke paralajmëruar se një sulm i mundshëm ndaj Tajvanit mund të përfshijë edhe Rusinë, duke rrezikuar sigurinë europiane. (A2 Televizion)