Harry Kane ka hyrë në histori duke u bërë lojtari më i shpejtë që arrin 100 gola për një klub në ligat e mëdha europiane këtë shekull. Sulmuesi anglez e arriti këtë shifër në vetëm 104 ndeshje me Bayern Munich, gjatë fitores 4-0 ndaj Werder Bremen.
Takimi nisi vrullshëm për ekipin e Vincent Kompany, me Kane që u ndal disa herë nga portieri Hein, por ishte Michael Olise ai që krijoi rastet kryesore. Goli i parë erdhi në minutën e 22-të pas një aksioni ku përfshiheshin Tah dhe Luis Díaz.
Në minutën e 36-të, Kane dyfishoi avantazhin nga pika e bardhë, duke shënuar penalltinë e tij të 18-të radhazi në Bundesliga, një rekord i ri që e vendos mbi Lewandowskin dhe Jörg Butt. Në pjesën e dytë, Werder tentoi të rikthehej në lojë me raste nga Stage dhe Sugawara, por Neuer mbajti portën të paprekur, shkruan A2 CNN.
Momenti historik erdhi në minutën e 64-të, kur Díaz asistoi për golin e dytë personal të Kane, që e çoi në kuotën e 100 golave me bavarezët. Me këtë realizim, ai arriti shifrën legjendare një ndeshje më shpejt se Cristiano Ronaldo dhe Erling Haaland.
Në minutat e fundit, Laimer vulosi fitoren 4-0 me një goditje të saktë diagonale, ndërsa Kane u zëvendësua mes duartrokitjeve.
Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për Bayern në fillim sezoni, diçka që nuk ndodhte që nga epoka e Ancelottit në 2016/17. Por, pa dyshim, e gjithë vëmendja i përket Harry Kane, tashmë një prej sulmuesve më të frikshëm në botë. (A2 Televizion)