Alimehmeti kandidat nga PD për Tiranën? Salianji: Prodhoi 2 deputetë me votat e tij, ka mbështetje

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 22:06 | Politikë

Ervin Salianji tha në ÇdoKënd me Merita Haklaj në A2 CNN se opozita ka shumë kandidatë potencialë në garën për Bashkinë e Tiranës, ndër të cilët përmendi Tabakun dhe Alimehmetin, si profile të forta brenda PD-së. Ai vlerësoi veçanërisht kontributin e doktorit që, megjithëse nuk arriti të hyjë në parlament, ka ndihmuar në sigurimin e mandateve për partinë dhe gëzon empati në publik.

“Tabaku dhe Alimehmeti janë dy profile shumë të mira në PD, doktori ka këtë pjesën e sakrificës ku pavarësisht se ka marrë 18 mijë vota nuk është në parlament. Thuajse, ai ka prodhuar 2 mandate për PD, por vet është jashtë. Ka një lloj empatie për të në publik”, tha Salianji.

Në lidhje me primaret, Salianji tha se PD nuk ka kohë të hapë plagë të reja. Ai theksoi se prioriteti është të ngrihen ekipet dhe grupet e punës në këto zona, dhe më pas të diskutohet për kandidatët më të përshtatshëm për çdo bashki.

Salianji nënvizoi se PD ka një skalion të parë të drejtuesve dhe nënkryetarëve që mund të konkurrojnë për të qenë në garë, por momentalisht fokus duhet të jetë organizimi dhe përgatitja për zgjedhje, jo përçarjet dhe debate të brendshme.

“PD ka skalion të parë disa njerëz që në çdo rast do konkurrojnë mes tyre për të qenë në garë, ka nënkryetarët e partisë, ka drejtuesit e lartë të partisë, të cilët mund të kenë ambiciet e tyre në garë. Mendimi im është që PD nuk ka kohë të hapë plagë të reja sidomos për zgjedhje që janë të pjesshme në 7 bashki që do të jenë në zgjedhje, po të quajmë edhe Vlorën. Unë mendoj se duhet të ecim në drejtimin për të ngritur ekipet dhe grupet e punës në këto zona dhe pastaj për të diskutuar për kandidatët”, tha Salianji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos