Banka Shqiptare e Zhvillimit, e cila pritet të financojë veçanërisht sektorin e blegtorisë është gati. Rreth 10 muaj pas “dritës jeshile” nga qeveria, institucioni financiar është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, shkruan A2.
Linja e re e financimit do të ketë fillimisht si aksionare të vetme Ministrinë e Financave e cila do të zotërojë 100% të kuotave.
Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, u shpreh: “E domosdoshme që fondet e ardhura nga Europa, të shtetit, fondet e granteve, fondet që japin bankat e zhvillimit, është e nevojshme të menaxhohen nga një bankë të tillë. Dhe kërkonte me çdo kusht këtë projektligj që tashmë është në konsultim”.
Në krye të Bankës Shqiptare të Zhvillimit është emëruar italiani Silvio Pedrazzi me një mandat 3-vjeçar. Ky i fundit mbrapa krahëve do të ketë dhe 5 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës së bankës.
“Mendoj dhe shpresoj shumë që kjo bankë t’i mbulojë nevojat e duhura për sektorin e bujqësisë. Nisur nga fakti se ka qenë një lloj mungese e kësaj mbështetje financiare dhe më e rëndësishmja është që është shteti garant për kolateralin kryesor. Them se është e mjaftueshme për këtë fazë.”
Banka Shqiptare e Zhvillimit ka një kapital prej 10 miliardë lekësh ku do të shërbejë për të dhënë kredi me interes të ulët sektorin e bujqësisë që e ka vuajtur kredidhënien nga bankat e nivelit të dytë”, tha Rrapaj.
“Kjo bankë duhet të nisë punën sa më shpejt. Franca dhe Italia e kanë tashmë një instrument të tillë. Nëse kjo nismë nuk rezulton efikase duhet të mendojmë për Bankën Bujqësore”, shtoi Rrapaj.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë një seli qendrore në Tiranë dhe degë në disa qarqe të vendit, përfshirë edhe zonat rurale. Ndonëse mbetet sektori që kontribuon më së shumti në ekonominë shqiptare me rreth 22 për qind të Prodhimit të brendshëm bruto, bujqësia vijon të mbetet një sektor i nën-kredituar, gati i braktisur nga bankat. (A2 Televizion)