Shqipëria, vendi i detit dhe maleve, po ndryshon lojën. Qielli mbi ne është kthyer në rrugën e re të ekonomisë, ku fluturimet drejt Tiranës dhe së shpejti Vlorës po lidhin vendin me botën.
Këto porta ajrore janë më shumë se pika në hartë... janë ura në qiell që sjellin turistë, investime dhe mundësi të reja për të ardhmen.
Maksim Et’hemaj, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, shprehet për A2: “Në muajin maj 2025 ne kapëm shifrën e 1milionë pasagjerëve. Këtë shifër në vitin 2022 ne e kapnim në gusht. Parashikimet tregojnë se deri në vitin 2029 ne do të shkojmë deri në 16 milionë pasagjerë. Dimë gjithashtu që deri në vitin 2042, numri i pasagjerëve në aeroporte do të dyfishohet”.
Kreu i Aviaicionit Civil, Maksim Et’hemaj, tregon edhe se kur aeroporti i Vlorës do të ndezë motorët dhe do të lidhë Shqipërinë drejt SHBA-së me fluturimet direkte.
“Ne presim që aeroporti të jetë operacional në vjeshtën e vitit 2026, ndërsa që të jetë 100 për qind kapacitet, në verën e vitit 2026. Ne presim që në pranverën e vitit 2026 të nisin fluturimet direkte për dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Et’hemaj.
Me Shqipërinë që ndodhet në miljet e fundit në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kapitujt ku Aviacioni Civil është i përfshirë pritet që të jenë të parat që do të mbyllen: “E para, Autoriteti i Aviacionit Civil është audituar në dhjetorin e vitit 2024 nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil dhe implementimi efektiv i Autoritetit të Aviacionit Civil në nivelin 89 për qind. E dyta, Autoriteti i Aviacionit Civil është audituar nga Komisioni Evropian në shkurt dhe qershor 2024. Nëse shikoni raportet dhe rekomandimet del se Shqipëria është në linjë me standardet evropiane të Aviacionit Civil”.
Në një kohë kur turizmi dhe investimet po gjejnë rrugën e tyre drejt Shqipërisë, ajri po bëhet aleati kryesor i zhvillimit ekonomik. Me aeroportet që po zgjerohen dhe lidhjet direkte që po shtohen, Shqipëria po ngrihet si një pikë kyçe në hartën ndërkombëtare të aviacionit dhe ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri të pasur ekonomik dhe shanseve të reja për vendin. (A2 Televizion)