Frikë për ndikimin e huaj në informacion. Investimet e huaja, veçanërisht në media futen në “lupën” e qeverisë

Nga Marjo Brakaj
7 Dhjetor 2025, 19:43 | Ekonomi

Investimet e huaja, veçanërisht ato në media do të futen deri në detaje në “lupën” e qeverisë. Kjo me qëllim që të shmanget deziformimi apo ndikimi keqdashës nga shtetet jo-miqësore me Shqipërinë.

Në konsultim publik është hedhur projektvendimi “Për procedurat për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve të huaja direkte që lidhen ose ndikojnë në infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacione të ndjeshme ose mbi lirinë e medias”, shkruan A2.

“Çështjet e lidhura me sigurinë kombëtare dhe rendin publik kanë evoluar përgjatë viteve dhe aktualisht po i kushtohet një vëmendje gjithnjë e në rritje kërcënimeve hibride, si sulmet kibernetike, fushatat e dezinformimit apo rrjedhjet e të dhënave personale, të cilat shihen si mjete për cenimin e sigurisë kombëtare apo rendit publik të një vendi. Gjithashtu, sektorët kritikë të medias dhe informacionit sensitiv ndikojnë drejtpërdrejt transparencën dhe demokracinë e vendit”, thotë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Mediet, përfshirë atë të shkruar, online dhe televizive marrin fokusin kryesor në nismën e re të qeverisë që synon të parandalojë që nëpërmjet tyre të përhapen informacione të pavërteta apo dashakeqe: “Përballë investimeve të huaja, ky sektor duhet të trajtohet me kujdes të veçantë, duke siguruar kontroll kombëtar, mbrojtje ligjore, dhe monitorim të vazhdueshëm, në mënyrë që investimet të mos kthehen në burim ndikimi të dëmshëm për shoqërinë apo shtetin. Për të krijuar një balancë midis tërheqjes së investimeve dhe mbrojtjes së interesit publik duhet të garantohet që investimet në sektorin e medias dhe informacionit të mos cënojnë sovranitetin informativ, krijojnë monopole dhe të respektojnë standardet etike dhe profesionale.”

Në relacionin e projekt-rregullores argumentohet se veç interesave kombëtare, nisma mbron edhe ato të Bashkimit Evropian: “Kur një investim i huaj direkt në Shqipëri konsiderohet se ka të ngjarë të ndikojë në projekte ose programe të Bashkimit Evropian për arsye sigurie ose rendi publik, struktura përgjegjëse në ministrinë përgjegjëse për ekonominë njofton Komisionin Evropian dhe merr në konsideratë siç duhet vërejtjet e tij.”

Përveç kontrolleve do të ketë edhe gjoba ndaj investitorëve që nuk respektojnë detyrimet e tyre.

Në nenin 18 thuhet se me 5 mijë euro gjobiten investitorët që nuk paraqesin kërkesë për shqyrtimin e një investimi të huaj. 10 mijë euro gjobë kur nuk japin informacionin e kërkuar dhe 50 mijë euro nëse investitori i huaj paraqet deklarata apo informacione të rreme. Por gjoba do të jetë sa dyfishi i vlerës së investimit nëse investimi i huaj direkt zbatohet, pavarësisht ndalimit të tij me vendim të Komitetit, kur merr miratim përmes informacionit të rremë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos