“Grant performance” për bashkitë, do të shpërndahen 200 milionë lekë në bazë të punës që do të bëjnë

Nga Marjo Brakaj
13 Nëntor 2024, 17:43 | Ekonomi

Formula me anë të së cilës qeveria do t’u shpërndajë paratë bashkive vitin e ardhshëm nuk do të ndryshojë. E reja për vitin e ardhshëm është “granti i performancës”. 61 bashkive do t’u jepen 200 milionë lekë në bazë të ecurisë së punës që do të bëjnë.

Adelina Farrici, Drejtoreshë e Shoqatës për Autonominë Vendore, shprehet për A2 CNN: “Kjo është e rëndësishme jo vetëm për faktin se është një shumë financiare që do të shkojë te bashkitë, por nxit bashkitë për përmirësimin e shërbimeve pasi granti i performancës do të jepet në bazë të ecurisë që bashkitë do të kenë, në drejtim të përmirësimit të shërbimit që bashkitë do të kenë ndaj qytetarëve”.

Shuma e parave që do të marrin njësitë e pushtetit vendor do të varet kryesisht nga numri i popullsisë, në masën 80%. Më pas, renditet dendësia në masën 15% dhe numri i nxënësve me 5%.

“Ne si pushtet vendor mendojmë se ka nevojë për disa rregullime në atë formulë mbështetur edhe në atë bashki që kanë një territor shumë të madh, por një numër popullsie të vogël. Po ashtu, edhe numri i nxënësve në këto bashki mund të jetë i vogël. Kështu që mendoj se ka bashki që duhet të kompensohen për ofrimin e shërbimeve në gjithë territorin e tyre”, theksoi Farrici.

Drejtoresha e Shoqatës për Autonominë Vendore, Adelina Farrici tregon edhe bashkitë që duhet të marrin më shumë para, pavarësisht numrit të popullsisë: “Bashkia e Pustecit, Bashkia e Klosit, Bashkia e Hasit apo Konispolit, megjithëse kjo e fundit ka të ardhura të veta të mira. Duhet bërë një analizë mbi bashkitë që duhet të marrin më shumë mbështetje.”

Për vitin 2025, buxheti për 61 bashkitë në vend planifikohet në gati 90 miliardë lekë nga 71 miliardë lekë gjatës vitit 2024. Qeveria do u japë më pak se 42 miliardë lekë njësive të pushtetit vendor, ndërsa pjesën tjetër duhet ta sigurojnë vetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos