Tetë vjet pas protestave popullore me sloganin “T’u themi jo plehrave”, Shqipëria pritet t’i japë “dritën jeshile” importit të mbetjeve nga jashtë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve.”
Baza e re ligjore që zëvendëson atë të vitit 2011 përcakton se do të lejohet vetëm importi i mbetjeve që miratohen nga qeveria në një listë të posaçme dhe ku mbetjet klasifikohen si jo të rrezikshme.
Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, përveç atyre të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import me Vendim të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit miraton listën e mbetjeve jo të rrezikshme të cilat lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë si dhe rregullat për zbatimin e këtij neni.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Jo-zyrtarisht nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit konfirmohet se do të lejohet importi i atyre mbetjeve që janë pjesë e listës së gjelbër, që i lejon edhe Bashkimi Europian, të tilla si kartoni, letra, alumini, hekuri, plumbi, zinku. Pjesë e listës mund të jenë edhe mbetjet industriale apo ato mjekësore. Ndërkohë, janë përcaktuar dhe masat ndëshkuese ndaj atyre që do të përpiqen të fusin në vend mbetje të rrezikshme.
Në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndalohet importi apo transiti i mbetjeve të rrezikshme. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë. Çdo person që importon mbetje të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë do të dënohet me gjobë në vlerën nga 1.950.000 lekë deri në 2.600.000 lekë.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Ndërkohë pavarësisht se praktika e djegies së tyre është një nga alternativat e fundit në piramidën e zgjidhjeve, në Bashkimin Europian, Shqipëria do të vijojë të ndjekë këtë rrugë
Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit dhe të ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë, miraton rregullat për incinerimin e mbetjeve, me qëllim reduktimin e emetimeve në atmosferë dhe të aromave, sipas teknikave më të mira të disponueshme.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Gjatë njëzet viteve të fundit, në vend ka pasur të paktën tre nisma ligjore që synonin të lejonin importin e mbetjeve, të cilat nuk janë miratuar për shkak të protestave popullore. (A2 Televizion)