Sipërmarrje që kërkojnë punonjës me dëshpërim, dhe të rinj që ankohen se nuk gjejnë punë. Me eksperimentin për të sjellë fuqi punëtore të huaj nga jashtë gati të dështuar, sytë e të gjithëve tashmë po shohin brenda vendit.
Por ende mungojnë urat që lidhin nevojat e tregut të punës me ata që enden në kërkim të një rroge. Për të zbutur këtë ngërç, Fakulteti i Ekonomisë është kthyer në rolin e ndërmjetësit duke organizuar një Panair Pune.
“Është i disati vit që FEUT bën panaire pune. Jemi në kërkim të studentëve si në drejtim të punësimit të tyre ashtu edhe në praktikat mësimore që ne si kompani ofrojmë”, shprehet Fatma Jaupi.
Bashkë me kompanitë e telekomunikacionit dhe atyre të mikrofinancës, në rritje janë edhe ato në fushën e shitblerjes së pronave. Rrjedhimisht duhen më shumë punonjës.
“Sot jemi te FEUT, por nevojat janë edhe më shumë. Kompania jonë ka në thelb teknologjinë, fintech dhe na duhen shumë punonjës”, deklaron Emin Muçaj.
Pjesë e grupit të të rinjve, me dëshirë madje të shtuar për t’u futur në tregun e punës është edhe Viola. “Duke qenes e jam nga Vlora dhe kam pasur eksperiencë në banak, jam duke parë për punë në profilin e turizmin”.
Ka edhe nga ana që ndonëse e kanë një punë, e shfrytëzojnë panairin për t’u përditësuar me nevojat e tregut.
Kryesisht në Tiranë dhe qytetet bregdetare, aktualisht sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive janë mbi 5 mijë e 700 vende të lira pune. (A2 Televizion)