Për herë të parë në 6 vjet, turizmi e ka nisur në rënie vitin, shkak moti me shi

Nga Marjo Brakaj
25 Shkurt 2026, 15:09 | Ekonomi

Për herë të parë në 6 vjet, turizmi e ka nisur në rënie vitin. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në muajin e shkuar në vend hynë 552 mijë e 187 të huaj, rreth 8 mijë vizitorë më pak se janarin e 2025-s. Moti me shi vlerësohet si shkaku kryesor.

“Fillimi i vitit ka qenë më i vakët se sa pritshmëritë e operatorëve. Rezervimet e hershme kanë qenë më të ulëta dhe shumë grupe kanë shtyrë udhëtimet për shkak të kushteve atmosferike. Kjo ka ndikuar sidomos te turizmi i fundjavave dhe paketat e shkurtra”, thotë për A2 CNN Rrahman Kasa, kreu i unionit turistik shqiptar.

Pjesa më e madhe e atyre që vizituan vendin në janarin ishin pushues evropianë, ndjekur nga ata Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Amerika, Azia dhe Afrika. “Vërehet një tendencë që vizitorët të zgjedhin qëndrime më të shkurtra dhe me buxhet më të kufizuar. Kjo tregon se tregu është më i kujdesshëm në shpenzime, ndërsa ne duhet të punojmë më shumë për oferta të diversifikuara, jo vetëm për sezonin veror”, thotë Kasa.

Peshën kryesore vijojnë ta mbajnë turistët nga Kosova, me 43 për qind të totalit në muajin e parë të këtij viti. Në janar, hynë 238 mijë shqiptarë të Kosovës, pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë.

“Rënia nga disa tregje tradicionale na detyron të rishikojmë strategjinë e promovimit. Duhet fokus më i madh te tregjet e reja dhe te turizmi gjithëvjetor, në mënyrë që të shmangim luhatjet e forta nga një muaj në tjetrin”, thotë Kasa.

Në tkurrje të fortë ishin dhe shtetasit nga Turqia, me një rënie prej 20 për qind. Edhe nga Mbretëria e bashkuar erdhën 8 për qind më pak turistë. Francezët dhe gjermanët ishin risia e vitit të kaluar, që u dyndën drejt Shqipërisë, duke shënuar rritje dy shifrore. Janari ka qenë i dobët dhe për ta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos