Pas odisesë të gjatë 2-vjeçare pritje, rivlerësimi i pronave ka nisur por jo pa probleme. Nga njëra anë agjentët vlerësuar po hasin vështirësi me vulat elektronike e nga tjetra qytetarët nuk po arrijnë dot të regjistrojnë në E-Albania dokumentacionin.
“Që në fazën e parë u kuptua se do të kishte pengesa teknike. Platforma ka pasur ndërprerje dhe mosfunksionime të herëpashershme, ndërsa procedurat elektronike nuk kanë qenë gjithmonë të qarta për përdoruesit. Këto vështirësi kanë krijuar radhë pritjeje dhe pasiguri si për profesionistët, ashtu edhe për qytetarët që kërkojnë të përfundojnë aplikimin”, thotë për A2 CNN Ervin Demirxhiu, vlerësues i pasurive të paluajtshme.
Me gjithë dokumentacionin e plotësuar dhe tarifat e paguara, zotëruesit e pronave nuk po arrijnë dot të përfundojnë me sukses procesin e rivlerësimit. “Ka raste kur dokumentacioni është i saktë dhe pagesat janë kryer, por sistemi nuk e finalizon aplikimin për shkak të problemeve me verifikimin ose me vulat elektronike. Kjo i detyron aplikantët të ribëjnë hapa të caktuar dhe shton kohën e procesit. Në praktikë, kjo do të thotë më shumë kosto dhe më shumë pritje për zotëruesit e pronave”, thotë Demirxhiu.
Kjo në një kohë që janë të shumtë qytetarët që presin të rivlerësojnë pronat e tyre. “Numri i qytetarëve të interesuar është i konsiderueshëm dhe pritet të rritet sa më shumë t’i afrohemi afatit përfundimtar. Për të shmangur ngarkesën dhe vonesat, është e nevojshme që sistemi të jetë plotësisht funksional dhe institucionet të ofrojnë udhëzime të detajuara. Vetëm kështu procesi mund të ecë me ritëm normal dhe me më pak problematika”.
Procesi i rivlerësimit do të jetë i hapur deri më 31 dhjetor 2026. Të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në fundvit. (A2 Televizion)