
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar se po zhvillohet një analizë ekonomike për të vendosur nëse formula aktuale e përcaktimit të çmimeve të karburanteve duhet të ndryshohet.
Kjo analizë vjen në kohën kur, disa ditë më parë, kompanitë e importit të karburanteve kërkuan kompensim për humbjet që pretendojnë se janë shkaktuar nga llogaritja nën kosto e çmimeve të karburanteve. Operatorët kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen gjykatës nëse qeveria nuk rishikon formulën e përdorur nga Bordi i Transparencës për përcaktimin e çmimevem, shkruan A2.
Kompanitë kryesore importuese të karburanteve i dërguan pak ditë më parë qeverisë, e cila u publikua. Në të, operatorët paralajmëruan se do t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim, duke pretenduar se metodologjia e përdorur nga Bordi i Transparencës për përcaktimin e çmimeve nuk pasqyron kostot reale të importit dhe operimit.
Sipas tyre, Bordi vazhdon të mbështetet në referencën FOB, ndërkohë që tregu ndërkombëtar operon tashmë me kontrata CIF, duke krijuar diferenca në përllogaritjen e kostove dhe të TVSH-së. Operatorët argumentojnë gjithashtu se formula nuk merr parasysh rritjen e shpenzimeve operative gjatë viteve të fundit, përfshirë pagat, sigurimet shoqërore dhe kostot e tjera të biznesit.
Sipas llogaritjeve të tyre, çmimi final i karburanteve nuk reflekton rreth 8.7 lekë për litër kosto reale, ndërsa dëmi i akumuluar për sektorin vlerësohet në rreth 7 milionë euro. (A2 Televizion)