“Integrimi i prek të gjithë”, shpejtësia e lëvizjes së Shqipërisë drejt BE varet edhe nga bashkitë

Nga Marjo Brakaj
29 Janar 2025, 10:42 | Ekonomi

Shpejtësia e lëvizjes së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian varet nga bashkitë. Para se të trokasë në dyert e “unionit”, vendi duhet të jetë gati edhe në nivel vendor. 

Arbjan Mazniku, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, deklaroi: “Çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin e bujqësisë, zhvillimin rural, infrastrukturën vendore në zonat bujqësore do të ndodhin në nivel vendor. Disa nga programet më të mëdha të Bashkimit Evropian, siç është fondi i kohezionit social apo fondet strukturore do të impaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mënyrën se si bashkitë funksionojnë me biznesin apo me strukturat e tyre në territorin e tyre.”

Por, për një “po” në vend të një “jo”-je, në rrugën e vështirë të anëtarësimit me objektiv ambicioz vitin 2030, bashkitë kanë disa kërkesa duke shpalosur edhe ankesat kryesore, shkruan A2.

Josif Gorrea, kryetar i Bashkisë Divjakë, u shpreh: “Bujqësia dhe mbetjet mbeten dy probleme kryesore në bashkinë tonë që duhet të marrin zgjidhje.”

Gledian Llatja, kryetar i Bashkisë Elbasan, tha: “Nuk mund të bëjmë turizëm teksa pishat në zonat tona pyjore kërcënohen nga procesionarja prej shumë kohësh.”

Për zgjidhjen e këtyre problemeve do të ndihmojë qeveria me urë lidhëse, Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor: “Bashkitë të përgatiten dhe të fillojnë të ushtrojnë këto funksione teksa i afrohemi momentit të ri që do të kemi si Shqipëri me Bashkimin Evropian.”

Gjatë takimit mes Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor dhe kryebashkiakëve, pjesë ishin e kryetarët e njësive opozitare të pushtetit vendor si Fushë-Arrëz dhe Mirditë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos