Mbi 20 milionë euro në më pak se një vit. Kaq para i ka kursyer buxheti të shtetit “Operatori i Blerjeve të Përqendruara”, agjencia që kryen prokurimet publike në emër dhe llogari të kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë.
“Rëndësi ka pasur ulja e kostove publike dhe besimi që duhet të kishim dhe të fitonim dhe kjo konfirmohet edhe nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare që e listojnë Shqipërinë në vendin e parë në rajon për transparencën me prokurimet publike”, deklaron ministri Gonxhja.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tregoi edhe drejtimet në të cilat u kursyen këto para.
“Aktualisht janë 460 operatorë ekonomike të regjistruar që marrin njoftime automatike për shpalljet e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe 165 klientë unikë. Numri i institucioneve përfituese është 141. Jemi drejt përfundimit të platformës i Albzone që do të mundësojë blerjet e drejtpërdrejta përmes dyqanit virtual duke e bërë procesin më të thjeshtë, më transparent dhe më të qëndrueshëm”, shton Gonxhja.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara” është organ qendror blerës, misioni i të cilit konsiston në kryerjen e procedurave të prokurimit për mallra pune apo shërbime me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla. (A2 Televizion)