Nga fillimi i vitit 2026, çdo qytetar në Shqipëri do të ketë një mënyrë digjitale për të vërtetuar identitetin e tij, si një lloj dokumenti elektronik që do të përdoret për të kryer shërbime të ndryshme në mënyrë më të lehtë dhe më të sigurt. Ky ishte zotimi që Kryeministri Edi Rama bëri gjatë prezantimit të këtij projekti inovativ. Rama theksoi se edhe Bashkimi Europian synon të implementojë një sistem të tillë deri në vitin 2027.
“Një tjetër moment i shumëpritur dhe mirëpritur, sepse prej disa kohësh jemi angazhuar me shumë dëshirë, por edhe me ambicie, si gjithmonë, për të krijuar identitetin digjital, i cili është baza e një kapërcimi tjetër të madh dhe projektimi në të ardhmen falë teknologjisë. Në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot, do të jetë në dispozicion të publikut dhe të raportit mes qytetarit, shtetit dhe ekonomisë sonë në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Rama, përcjell A2.
Shëndetësia, arsimi dhe transporti, sipas Ramës, janë pikat kryesore ku përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do të garantohen shërbime për të gjithë, pavarësisht vendndodhjes.
“Besojmë se përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do të mund të krijojmë kushte e premisa tërësisht të reja për shërbimin shëndetësor, për mundësinë e kujtdo për të pasur një vëzhgim dhe trajtim cilësor, pavarësisht gjeografisë ku ndodhet. Për sistemin arsimor, po punojmë për të digjitalizuar sistemin e transporteve dhe me radhë”, tha Rama.
Rama përmbylli fjalimin duke theksuar se po ecim me hapa të shpejtë drejt fillimit të zbatimit të projektit “Smart City”, i cili do të digjitalizojë sistemin e monitorimit të trafikut në qytetet tona dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mbledhjes së të dhënave për ligjshmërinë dhe luftën kundër kriminalitetit. (A2 Televizion)