Pagesë për pjesëmarrje, bonus për shpenzimet e transportit por dhe vlerë monetare sipas përbërjes së familjeve, do të jenë përfitimet që punëkërkuesit e papunë do te munden të aksesojnë nëpërmjet programeve të riintegrimit social.
Për të ulur nivelin e papunësisë qeveria ka bërë ndryshime në vendimin për nxitjen e punësimit në vend. Në vendimin e publikuar në fletoren përcaktohen edhe masat që do të jepen.
“Pagesë për pjesëmarrje në program, në vlerën prej 8 000 (tetë mijë) lekësh në muaj, bonus për shpenzimet e transportit deri në 1800 lekë nëse distanca është më shumë se 2 km por dhe bonus për kujdesin e fëmijëve në ngarkim 4000 lekë dhe të moshuarve në vlerën 3000 lekë, janë përfitimet nga programi i riintegrimit social”, tha sociologia Eris Dhamo.
Programet e nxitjes së punësimit të cilat do të zbatohen nëpërmjet organizatave që kategorizohen fituese, do t’i ndajnë të papunët në grupe për t’u trajnuar dhe këshilluar me punonjësit 8 herë në muaj. Ndërmarrja e iniciativave të tilla mirëpritet nga qytetarët por përsëri qëndrojnë skeptikë në gjetjen e një vendi pune.
Në fund të 2023 papunësia në Shqipëri arriti në 10.7% teksa tek gratë qëndronte në nivelin e 10.5%. Por mospërfshirja në programet e nxitjes së punësimit por dhe mungesa e të dhënave është ngritur si problem së fundmi në një raport auditimi të KLSH, sidomos për gratë në zonat rurale. Sipas këtij institucioni mungojnë treguesit gjinorë në realizimin e programeve.
“Referuar të dhënave të raportuara, mungojnë çerdhet, kryesisht në zonat rurale dhe në disa raste edhe në zonat urbane”, thuhet në raportin e KLSH.
“Që të vejë një program nxitje punësimi në një zonë rurale duhet që qendra rurale të ndërtojë zyrat atje ose ana tjetër kjo gruar të aksesojë një qendër në zonat urbane çka do të jepte shumë kosto për të”, tha sociologia Eris Dhamo.
Sipas raportit të KLSH rezulton se roli i agjencive shtetërore të punësimit për përfshirjen në këtë treg të grave në zonat rurale nuk ka funksionuar siç duhet. (A2 Televizion)