Turistët shpëtuan konsumin gjatë muajve të parë të vitit. Në një kohë që konsumi vendas është rrudhur si pasojë e çmimeve të larta dhe largimeve nga vendi të huajt gjallëruan tregtinë me pakicë në vend. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-mars, volumi i shitjeve nga zinxhiri i bizneseve tregtare, pa përfshirë karburantet, u rrit me 6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë i shënuar që nga periudha e pandemisë.
“Jemi në kushtet që konsumi vendas është në “pikën e vdekjes”. Për shkak të emigrimit dhe shkaqe të tjera. Ndërkohë turistët, sado të varfër të jenë do duhet të blejnë. Ata blejnë në kioska, dyqane apo tregje. Jo vetëm ushqime por edhe produkte të tjera”, tha Romina Radonshiqi, eksperte e ekonomisë.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në tre muajt e parë të vitit ka pasur më shumë shitje të artikujve joushqimore, kryesisht të veshjeve apo asortimenteve të tjerë. Më pas renditen shitjet nga tregjet, dyqanet e supermarketet. Ndërkohë shitjet e karburanteve janë rrudhur lehtë në raport me janar-marsin e një viti më parë. Bashkë me karburantet, indeksi i shitjeve m pakicë në harkun e muajve janar mars rezulton të jetë rritur me 4.9 për qind në raport me një vit më parë.
“Në muajt e dimrit ka më pak kërkesë për lëndë djegëse për shkak se nuk ka shumë lëvizje. Rritja e kërkesës për karburant kryesisht ndodh në muajt e verës. Nga ana tjetër shitjet e ushqimeve dhe produkteve të tjera vijojnë pa ndonjë ndryshim të madh”, shtoi Radonshiqi.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-mars në vend hynë mbi 1.5 milionë turistë, shifër kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë. (A2 Televizion)