Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “STOP”, duke vënë në pranga dy persona të dyshuar për shpërndarje lëndësh narkotike në një lagje të kryeqytetit në rrugën “Xhanfize Keko”, shkruan A2 CNN. Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Sipas burimeve zyrtare, personat e arrestuar janë D. B(K)., 35 vjeç, dhe E. X., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë. Hetimet paraprake treguan se ata mbanin dhe shpërndanin lëndë të dyshuar narkotike kanabisi në formë xhelatine, një formë më e re e tregtimit të kanabisit, që po përdoret gjithnjë e më shpesh në qendrat urbane.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku ndodheshin të dy të arrestuarit, policia gjeti dhe sekuestroi 8 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis në formë xhelatine. Më pas, në banesën e shtetasit D. B(K). u gjetën dhe u sekuestruan rreth 802 gramë lëndë narkotike kanabis si dhe 3 armë të ftohta (thika), që dyshohet se përdoreshin për mbrojtje apo kërcënim gjatë aktivitetit të tyre të paligjshëm.
Policia njofton se, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet shpërndarjeje droge.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)