Kamerierët do të paguhen jo me pak se 70 mijë lekë

Nga Marjo Brakaj
17 Qershor 2025, 16:12 | Ekonomi

Vetëm një në pesë turistë që hynë në Shqipëri në prill fjeti në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit. Kjo, të paktën, sipas të dhënave zyrtare. Nga 819 mijë e 151 vizitorë të huaj, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm 149 mijë e 621 prej tyre u akomoduan për të paktën një natë.

“Kjo tregon vërtet situatën dhe, siç e kemi thënë, më shumë ne jemi vend transit. Kjo mund të vijë edhe si pasojë e shtimit të numrit të strukturave akomoduese që nuk janë të përfshira në sistemin e integruar të turizmit. Por gjithsesi, mund të themi që shumë pak të huaj flenë në Shqipëri”, tha Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Thirrjet e qeverisë, shpesh të shoqëruara me paralajmërime për gjoba, po reflektohen pak në shtimin e deklarimeve nga strukturat akomoduese. Në krahasim me prillin e vitit 2024, të dhënat nga INSTAT tregojnë se numri i akomodimeve u zgjerua me gati 20 mijë, apo 23 për qind.

“Shqipëria ka 107 mijë shtretër të regjistruar. Këtu përfshihen hotelet, bujtinat dhe apartamentet. Kemi rreth 30 mijë apartamente me rreth 90 mijë shtretër jashtë sistemit. Ndaj kemi këto shifra. Ndoshta do të shohim efekte më pas si pasojë e ndryshimeve të ligjit për turizmin”, u shpreh Topuzi, shkruan A2 CNN.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gjatë prillit, pjesa më e madhe e turistëve që fjetën në vend – pak më shumë se 138 mijë – u akomoduan në hotele. Ndërkohë, nga apartamentet me qira ditore, pati vetëm 8 mijë e 700 vizitorë.

“Kjo tregon informalitetin. Shqipëria ka gati 48 për qind të kapaciteteve akomoduese në apartamente dhe vila jashtë sistemit tatimor. Kjo dëmton sa arkën e shtetit, aq edhe konkurrencën mes subjekteve.”

Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vetëm 1 mijë e 850 apartamente me qira ditore janë të regjistruara te tatimet dhe paguajnë taksat dhe tarifat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos