“Në këtë botë nuk mund të thuhet se ka gjë të sigurt, përveç vdekjes dhe taksave”... Kjo thënie e ekonomistit Benjamin Franklin që në vitin 1789 i ka rezistuar kohës. Ajo që ndryshon është mënyra se si institucionet qasen ndaj qytetarëve dhe bizneseve për të thjeshtuar pagimin e tyre. Një hap në këtë drejtim ka hedhur edhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Tiranë me anë të “Kartës së Taksapaguesit”.
“Karta e Tatimpaguesit, është në fakt një “deklaratë”, në të cilën paraqiten të drejtat, por edhe detyrimet e tatimpaguesve. Ky dokument nuk është një akt juridik në llojin e tij, por me anë të tij, bëhen publike të drejtat dhe detyrimet aktuale, të mirëpërcaktuara në bazën ligjore të të drejtave të njeriut në tërësi, si dhe të atyre të natyrës tatimore në veçanti. Në këtë mënyrë, publikimi i saj, kontribuon pozitivisht, në krijimin e një klime më të mirë të qytetarisë fiskale në vend”, tha për A2 CNN, Erla Menaj nga Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore Tiranë.
Qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 20 taksa. Edhe më shumë bizneset. Edhe pse disa nuk paguhen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Tri janë llojet e pagesave fiskale që të gjithë ne bëjmë çdo vit... tatimi mbi fitimin e bizneseve, tatimi mbi të ardhurat personale dhe ai mbi pagën e individëve. Në kuadër të mirë-informimit, më shumë takime po bëhen me qytetarët dhe grupet e interesit.
“Në kuadër të prezantimit të kësaj karte, po zhvillohet edhe një cikël takimesh. Në takimin e pare, me tre shoqata të kontabilistëve dhe financierëve të miratuar, u diskutua mbi rëndësinë e këtij instrumenti dhe rolin që ka komuniteti i profesionistëve në forcimin e bashkëpunimit mes administratës tatimore dhe taksapaguesve”, shtoi Menaj.
“Karta e Taksapaguesit” synon që të rrisë sa më tepër të ardhurat e arkëtueshme , në këtë rast nga Tirana duke ndikuar edhe në uljen e informalitetit.
“Arsye të ndryshme imponojnë hartimin e publikimin e Kartës së Tatimpaguesit, që nga prioritetet qeverisëse, përgjegjësitë e administratës fiskale, ndaj publikut të gjerë, promovimi i vlerave të barazisë dhe respektit të të drejtave të tatimpaguesve, përmirësimit të cilësisë së shërbimit nga i gjithë personeli i administratës. Karta informon tatimpaguesit, jo vetëm për të drejtat që ato kanë, por edhe për detyrimet e tyre, sipas qasjes më optimale të mundshme”, nënvizoi Menaj.
Përfaqësues të shoqatave pjesëmarrëse përshëndesin ndërkohë këtë iniciativë, duke theksuar se “Karta e Taksapaguesit është një mjet i vlefshëm jo vetëm për qytetarët, por edhe për profesionistët. (A2 Televizion)
