Pagat si pensionet, do të indeksohen për të mbuluar efektet e inflacionit

Nga Marjo Brakaj
20 Tetor 2025, 15:32 | Ekonomi

Pagat e atyre që punojnë në shtet, nga viti i ardhshëm do të rriten aq sa do të shtrenjtohen çmimet. Për këtë qëllim qeveria ka parashikuar një fond prej 4.3 miliardë lekësh. Kjo shumë është sa 0.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Fondi do të përfshihet në buxhetin e vitit 2026 i cili pritet të depozitohet në Kuvend në fund të këtij muaji.

“Kjo do të thotë se të punësuarit nuk do të jenë më vulnerabël dhe në varësi të dëshirave të qeverisë për të rritur kur ata duan pagat”, thotë për A2 CNN Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë. “Pra duhet parë inflacioni në vitin 2025, ai inflacion do të merret për bazë për indeksimin e pagave në sektorin publik në vitin 2026. Sigurisht që kjo është një shifër minimale dhe në parim fuqi blerëse mbetet po e njëjtë. Pra një punonjës i administratës publike, pas indeksimit merr të njëjtën gjë”, shprehet Erald Pashaj, ekspert i tregut të punës.

Ndërkohë pas objektivit për “pagë mesatare 900 euro”, qeveria duket se ka hequr dorë nga reforma të ngjashme. Për vitin 2026 nuk është parashikuar asnjë fond për politika të reja pagash. “Tashmë do të veprohet me këtë  politikë të re e cila do të amortizojë thjesht efeketet e inflacionit”, thotë Gjokutaj.

“Në radhë të parë pagat duhet të rriten çdo vit, pra jo të grumbullohet rritja dhe të bëhet në një vit të caktuar kur vjen situata ekonomike apo njerëzit largohen. Nuk duhen bërë ndryshimet kur jemi keq. Ndryshimet duhet të bëhen paraprakisht”, thotë Pashaj.

Me gjithë retorikën e madhe për rrite pagash, një shqiptar pavarësisht nëse është rrogëtar në shtet apo privat, merr mesatarisht 3.6 euro në orë. Një orë punë në Shqipëri vlerësohet më pak se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.

Pagat si pensionet, do të indeksohen për të mbuluar efektet e

“Sepse ne priremi nga sensacioni dhe jo nga dëshira për të krijuar mirëqenie në popullatë”, thotë Gjokutaj. “Paga jepet për sa paguhet një punë në treg. Nëse një punë në treg paguhet X, aq duhet të paguhen edhe punët e ngjashme me të. Kush pastaj ka performancë më të lartë, do të duhet të marrë diçka më shumë”, shpjegon Pashaj.

Pagat si pensionet, do të indeksohen për të mbuluar efektet e

Ndërkohë nga punëtorët e fabrikave e rrobaqepëset te shitëset, kamerierët apo punëtorët e ndërtimit... cilido i punësuar në Shqipëri nga fillim-viti i ardhshëm do të paguhet me jo më pak se 50 mijë lekë. Paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë. Premtimi i qeverisë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit është përfshirë në programin qeverisës të socialistëve për t’u zbatuar nga 1 janari 2026. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos