Për të tretën herë, rishikohet përsëri buxheti, qeveria "zgjidh qesen" për pensionistët

Nga A2 CNN
21 Tetor 2025, 18:04 | Ekonomi

Qeveria ka rishikuar për të tretën herë buxhetin e këtij viti. Ndryshimet prekin thuajse të gjitha institucionet. Një pjesë e tyre pësuan ndryshime të konsiderueshme strukturore në fillim të shtatorin me krijimin e qeverisë “Rama 4”.

“Në vijim të zgjedhjeve të përgjithshme të datës 11 maj 2025 dhe ndryshimeve në kabinetin e ri të Këshillit të Ministrave, u rishikuan edhe fushat e përgjegjësisë funksionale të ministrive të linjës. Në këto kushte, lindi nevoja imediate për rishikimin sa më parë të ligjit të buxhetit 2025, me fokus kryesor rishpërndarjen e fondeve buxhetore sipas riorganizimit të ri të ministrive”.

Kështu nga mbi 56 miliardë lekë në dispozicion si Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tashmë me vetëm Ekonominë dhe Inovacionin do të ketë 47.3 miliardë lekë fonde. Gati 3 miliardë lekë i janë vënë në dispozicion Ministrisë së Mjedisit që u nda nga turizmi ndërsa Blendi Gonxhja tashmë në krye të Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë pak më pak se 7 miliardë lekë në dispozicion. Më pak para në dispozicion deri në fund të vitit do të kenë edhe Ministria e Mbrojtjes, Presidenca dhe Kryeministria.

“Në programe të tjera rreth 50 mln lekë për programin “Mbështetje për industrinë dhe mbështetje për burimet natyrore”. Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacioni, rreth 1.6mld lekë shtesë për sisteme kompjuterike, në kuadër të projektit me Bankën Botërore dhe projekteve me kompaninë Oracle. Shërbimin Informativ të Shtetit, rreth 555.5mln lekë shtesë për blerje sistemesh”.

Një tjetër argumenti i përdorur nga Ministria e Financave në relacionin që shoqëron është nevoja për të rritur fondin për bonusin e fund-vitit i cili do të jetë 97 milionë euro nga 37.5 që ishte.

Për pjesën tjetër të vitit do të kenë më tepër para në dispozicion Ministria e Bujqësisë, ajo e Brendshme, e Mbrojtjes, Shëndetësia, Drejtësia. Gjithashtu SPAK-ut dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit i janë shtuar fondet. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me E-qeverisjen janë institucionet me shtesën më të madhe të fondeve. Tek e para fondet shkojnë te Albcontrol pasi fondet e këtij të fundit, ndërsa e dyta për “Diellën” bashkë me projektet e tjera të qeverisë.

“Ndryshimet e propozuara në këtë akt normativ do të vijojnë të garantojnë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB-në, në përputhje me rregullin fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi”.

Me ndryshimet e buxhetit është ulur në 2.9 miliardë lekë fondi rezervë i buxhetit të shtetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos