Kufizimet e BSH, bankat dhanë më pak kredi për blerje të apartamenteve

Nga A2 CNN
20 Tetor 2025, 19:35 | Ekonomi

Bankat ju dhanë më pak kredi qytetarëve shqiptarë për të blerë apartamente në tremujorin e tretë të vitit. Vendosja e tavaneve për huatë për blerje të banesave bashkë me kufizimet në drejtim të raportit të të ardhurave me këstin mujor janë shkaqet.

“Faktorët që sollën rënien e kërkesës për kredi sipas gjykimit të bankave ishin: nevojat më të ulëta në financimin për blerjen e banesave, zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, përdorimi i burimeve alternative të financimit dhe kufizimet rregullatore që hynë në fuqi në korrik 2025. Në tremujorin e fundit të vitit, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë më e ulët në kreditë për blerjen e banesave dhe më e lartë në kreditë konsumatorë.”

Nga korriku, për blerjen e banesës së parë bankat japin kredi në masën maksimale 85 për qind të vlerës së pronës nëse huaja merret në lekë dhe vetëm 75 për qind nëse është në valutë. Për banesën e dytë banka mbulon vetëm 80 për qind të vlerës nëse kredia merret në lekë dhe vetëm 70 për qind në valutë. Ndërkohë për shkak “ceneve” në historik, një pjesë e konsiderueshme e kërkesave për kredi në harkun e muajve korrik-shator u refuzuan.

“Rritja e shkallës së refuzimeve për kredi të individëve u ndikua nga të ardhurat e disponueshme, historiku i punësimit dhe nga mungesa e kolateralit. Në të kundërt me to vepruan statusi i kredive aktuale dhe historiku i marrëdhënieve të kredimarrësit me bankën.”

E kundërta ka ndodhur me kreditimin e bizneseve.

“Standardet e kreditimit për bizneset mbetën të pandryshuara në tremujorin e tretë të vitit 2025. Megjithatë, bankat vijuan të raportojnë marzhe më të larta mbi kreditë me rrezik. Shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e lartë. Elementet e tjera çmim dhe jo-çmim patën ndryshime minimale”.

Bashkë me tavanet për kredi-dhënien Banka e Shqipërisë ka caktuar edhe kufizime në drejtim të masës maksimale që mund të paguhet për këstet mujore në raport me të ardhurat. Për banesën e parë kësti i kredisë në lekë nuk mund të jetë më shumë se 40 për qind e të ardhurave, ndërsa në valutë 35 për qind. Për apartamentin e dytë 35 për qind për kreditë në lekë dhe 30 për qind për ato në valutë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos