Sipas të dhënave zyrtare, vetëm një në katër turistë që hyri në Shqipëri vjet u akomudua

Nga Marjo Brakaj
16 Janar 2026, 15:03 | Ekonomi

Vetëm një në katër turistë që hyri në Shqipëri vitin e shkuar fjeti në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit. Kjo të paktën sipas të dhënave zyrtare. Nga rreth 11.7 milionë vizitorë të huaj deri në fund të nëntorit, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se pak më shumë se 2.9 milionë prej tyre u akomoduan për të paktën një natë.

“Kjo tregon vërtetë situatën dhe siç e kemi thënë më shumë ne jemi vend transit. Kjo mund të vijë edhe si pasojë e shtimit të numrit të strukturave akomoduese që nuk janë të përfshira në sistemin e integruar të turizmit, por gjithsesi mund të themi që shumë pak të huaj flenë në Shqipëri”, tha për A2 CNN Zak Topuzi, kryetar i shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Thirrjet e qeverisë, shpesh të shoqëruara me paralajmërime për gjoba po reflektohen pak në shtimin e deklarimeve nga strukturat akomoduese. Në krahasim me vitin 2024-n, të dhënat nga INSTAT tregojnë se numri u akomodimeve u zgjerua me gati 817 mijë apo 38.7 për qind.

“Shqipëria ka 107 mijë shterët të regjistruar. Këtu përfshihen kotelet, bujtinat dhe apartamente. Kemi rreth 30 mijë apartamente me rreth 90 mijë shtretër jashtë sistemit. Ndaj kemi këto shifra. Ndoshta do të shohim efekte më pas si pasojë e ndryshimeve të ligjit për turizmin”, tha Topuzi.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se vitin e shkuar, pjesa më e madhe e turistëve që fjetën në vend, pak më shumë se 2.4 milionë u akomoduan në hotele. Ndërkohë nga apartamentet me qira ditore pati vetëm 116 mijë e 139 akomodime të raportuara.

“Kjo tregon informalitetin. Shqipëria ka gati 48 për qind të kapaciteteve akomoduese i ka apartamente dhe vila jashtë sistemit tatimor Kjo dëmton sa arkën e shtetit, aq edhe konkurrencës mes subjekteve”, tha Topuzi.

Të dhënat nga  Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se vetëm apo 1 mijë e 850 apartamente me qira ditore janë të regjistruar te tatimet dhe paguajnë taksat dhe tarifat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos