Të ikur kryesisht pas viteve 1990, shqiptarët e Amerikës përbëjnë diasporën e tretë më të madhe pas Italisë dhe Greqisë. Janë 206 mijë e 520 qytetarë të cilët jetojnë dhe punojnë përtej Atlantikut.
Një pjesë e konsiderueshme e tyre, 54 mijë e 600 shqiptarë jetojnë në Nju Jork, pasuar nga 26 mijë e 270 në Miçigan dhe 16 mijë e 270 në Florida. Rreth 15 mijë jetojnë dhe punojnë në
Illinois ndërsa pjesa tjetër janë të shpërndarë në shtetet e tjera, shkruan A2CNN.
Në drejtim të arsimimit, ata me gjimnaz kryesojnë listën me 44 mijë e 946 të tillë. Më pas renditen ata me diplomë universitare të ciklit “Bachelor”, 41 mijë e 210 dhe ata me “master” që janë pak më shumë se 14 mijë. Në njërin ekstrem qëndrojnë një pjesë vetëm me 9-vjeçare dhe në tjetrin 1 mijë e 384 që kanë përfunduar edhe “Doktoraturën”.
Më shumë se gjysma e shqiptarëve të Amerikës janë të punësuar. Ata zotërojnë profesione e zanate në fusha të ndryshme. Por një pjesë tjetër e konsiderueshme, mbi 53 mijë nuk janë të punësuar. Tregues i integrimit 100 për qind me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë 235 shqiptarët të cilët shërbejnë në Forcat e Armatosura të SHBA-ve.
Pjesa dërrmuese e atyre që realizuar “ëndrrën Amerikane” u larguan nga Shqipëria me anë të “Programit të Vizave të Diversitetit”, njohur si “Lotaria Amerikane”. Vetëm në dekadën e fundit rezultojnë mbi 3.1 milionë aplikime për vizën amerikane, ndërsa janë përzgjedhur mbi 34 mijë shqiptarë për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Forma tjetër e largimeve është ajo me anë të vizave emigruese, kryesisht bashkim familjar, punësim apo birësim. Nga 2014-a e deri në fund të vitit të shkuar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës intervistoi dhe u dha “dritën jeshile” mbi 43 mijë shqiptarëve për të jetuar e punuar përtej Atlantikut. Ndërkohë që 126 mijë shqiptarë kanë mundur të marrin viza jo-emigruese të cilat shërbejnë për turizëm, biznes apo trajnime të ndryshme.
Tashmë vizat me qëllim emigrimi, përfshirë edhe lotarinë Amerikane janë pezulluar për Shqipërinë dhe 74 shtete të tjera për një afat të pacaktuar. Pjesa dërrmuese e shteteve të cilave iu pezullua programi i vizave dhe ai lotarisë bëjnë pjesë në listën që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump publikoi më 4 janar. Në të rezultoi se 41.3 për qind e familjeve shqiptare në SHBA trajtoheshin me ndihmë sociale. Në Ballkanin Perëndimor lista kryesohej nga Kosova me 46 për qind të familjeve.
Të vetmit shtet në Rajon të cilit nuk i janë pezulluar vizat e asnjë lloji është Serbia që mungonte edhe në listën e 4 janarit të publikuar nga Trump. (A2 Televizion)
Ëndrra (e pezulluar) amerikane. Mbi 206 mijë shqiptarë përtej Atlantikut, ikën me lotari e viza