
Nga punëtorët e fabrikave e rrobaqepëset te shitëset, kamerierët apo punëtorët e ndërtimit, cilido i punësuar në Shqipëri nga ky muaj do të paguhet me jo më pak se 50 mijë lekë. Paga minimale është rritur me 10 mijë lekë.
Pedagogu Erion Muça shprehet për A2CNN: “Është një tregues pozitiv, sepse rritja e pagës minimale prek drejtpërdrejt shtresat më të brishta të tregut të punës. Nga ana tjetër, duhet parë me kujdes ndikimi që kjo rritje mund të ketë mbi bizneset e vogla, kostot e tyre dhe rrezikun për rritje të informalitetit. Pra, është një hap i rëndësishëm social, por duhet shoqëruar edhe me politika mbështetëse”.
Për gjithë vitin 2026 dhe deri në gjysmën e 2027-s, do të jetë shteti që do të paguajë kontributet për diferencën mes 40 dhe 50 mijë lekë, në mënyrë që të mos rëndohet as punëdhënësi as punëmarrësi.
Zef Preçi, ekspert për ekonominë, shpjegon: “Kjo është më shumë pjesë e propagandës sesa një politikë e mirëfilltë zhvillimi. Rritja e pagës minimale pa një analizë të plotë të produktivitetit dhe të kostove të biznesit mund të sjellë pasoja të kundërta, si mbyllje vendesh pune apo shtim të punësimit informal. Pa reforma strukturore, një vend si Shqipëria e ka të vështirë të garojë me rajonin vetëm me vendime të tilla politike”.
Megjithëse qeveria zotohet të mbulojë efektet që do të prodhojë rritja e pagës minimale për 18 muajt e parë, bizneset janë të shqetësuara për kostot shtesë që do ju vinë në drejtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve pas kësaj periudhe.
Florian Zekja, sipërmarrës në sektorin e manifakturës, theksoi: “Rritja e pagës minimale ashtu edhe pagat e tjera në rrjedhë, dhe kjo rrit kostot e operimit për kompanitë si e imja. Për 18 muajt e parë, shteti mbulon kontributet, por pas kësaj periudhe ne do të ndjejmë presion mbi bilancin dhe do të duhet të rimendojmë strategjitë e punësimit dhe investimit”.
Bashkë me pagën minimale, nga ky muaj me 10 mijë lekë rritet edhe paga maksimale. Nga 176 mijë e 416 lekë që ishte ajo rritet në 186 mijë e 416 lekë. Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm, rritja e pagës maksimale përkthehet në një “ulje të pagës neto” për të gjithë ata që paguhen mbi këtë prag. Ata do të marrin 950 lekë më pak, kjo pasi paguajnë më shumë sigurime shoqërore. (A2 Televizion)