Ulen komisionet e transfertave të parave, nga 7 tetori, Shqipëria do të jetë zyrtarisht pjesë e SEPA

Nga Marjo Brakaj
9 Shtator 2025, 15:03 | Ekonomi

Nga 7 tetori qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë do mund të dërgojnë dhe marrin para me komisione 5 herë më të ulëta se aktualisht. Fillim-muajin e ardhshëm Shqipëria do të jetë zyrtarisht pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, vetëm gjatë vitit të parë të anëtarësimit, bizneset dhe qytetarët shqiptarë do të kursejnë rreth 20 milionë euro, si rezultat i uljes së komisioneve bankare”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Aktualisht zona e vetme e pagesave në euro, mundëson kryerjen e transfertave në Euro në 36 vende anëtare dhe jo-anëtare të Bashkimit Evropian. Me hedhjen e këtij hapi, Shqipëri është më pranë BE edhe në drejtim të negociatave të anëtarësimit. 

Shqipëria ka pasur një ndër performancat më të mira ekonomike gjatë pesë viteve të fundit, jo vetëm në rajon, por edhe në kontekstin e përgjithshëm evropian. Stabiliteti monetar e ai financiar kanë mundësuar përballimin e goditjeve të pandemisë dhe të rritjes së shpejtë të çmimeve që pasoi luftën në Ukrainë, me kosto minimale dhe pa dëmtuar trendin pozitiv të zhvillimit.

Ndërkohë pavarësisht tensioneve gjeopolitike dhe pengesave në tregje Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike deri në 4 qind këtë vit parashikon Banka e Shqipërisë.

“Integrimi evropian i Shqipërisë është një proces që kërkon përkushtim, vizion dhe besim. Banka e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë të japë kontributin e saj për modernizimin e ekonomisë dhe forcimin e infrastrukturës financiare, me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një partner të barabartë në tregjet evropiane e më gjerë.”

Rritja ekonomike në Shqipëri pritet të mbështetet nga rritja e konsumit, ulja e inflacionit, nga rimëkëmbja graduale në eurozonë, rritja e shpenzimeve publike për projektet infrastrukturore të financuara nga Bashkimi Europian dhe të ardhurat nga turizmi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos