Çmimet e produkteve dhe shërbimeve u rritën edhe në gusht. Ato kushtuan 2.3 për qind më tepër se gushtin e vitit të shkuar. “Zarzavatet dhe bulmeti janë shumë të shtrenjtë, mishi po ashtu. Me të ardhurat që kemi, duhet të kursejmë edhe ushqimin, që është gjëja më e domosdoshme”, thotë një qytetare teksa po bën pazarin.
Pozitivja është se inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë rritjes së çmimeve ishte 0.2 për qind më i ulët se në korrik.
Kjo në një kohë që konsumi u zgjerua si pasojë edhe e kërkesës së shtuar nga turistë. “Pavarësisht se inflacioni është në një trend rënës, çmimet në nivel produktesh dhe shërbimesh mbeten të larta dhe të pandjeshme ndaj uljes së tij. Kjo tregon se në treg ka ende faktorë spekulativë, ndaj shteti duhet të fokusohet te kontrolli dhe transparenca, në mënyrë që ulja e inflacionit të reflektohet realisht në jetën e qytetarëve”, thotë për A2 CNN Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Muajin e shkuar u rritën me ritme më të ngadalta edhe çmimet e ushqimeve në veçanti. Zarzavatet, bulmeti, mishi dhe produktet e tjera të konsumit u shtrenjtuan me 2.5 për qind në krahasim me gushtin e 2024-s. Krahasuar me korrikun, inflacioni ra me 0.7 pikë përqindje.
“Çmimet e ushqimeve janë ende të larta dhe kjo lidhet me koston e prodhimit dhe mungesën e konkurrencës reale. Duhet të ndërhyhet me politika më të forta për stabilizimin e tregut dhe për të lehtësuar barrën që mbajnë familjet shqiptare”, thotë Gjokutaj.
Flukset e shtuara të turistëve bënë që inflacioni gjatë gushtit te baret dhe restorantet të rritej në 2.2për qind nga 2 për qind që ishte në korrik.
(A2 Televizion)