Vetëm 440 euro për turistë, paradoksi i “bumit të pushuesve të lirë” u përsërit edhe këtë vit

Nga Marjo Brakaj
10 Shtator 2025, 15:05 | Ekonomi

Po vijnë më shumë turistë, por po shpenzojnë më pak para. Paradoksi i “bumit të pushuesve të lirë” u përsërit edhe këtë vit. Në gjysmën e  parë të vitit, çdo i huaj që vizitoi Shqipërinë shpenzoi vetëm 440 euro.

Krahasuar me janar-qershorin e vitit të shkuar, shpenzimet e turistëve të huaj u zgjeruan me vetëm 12 euro apo 2.8 për qind, shkruan A2.

Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet: “Në përgjithësi, një pjesë e madhe e këtyre turistëve kanë ardhur me këtë qëllim, janë ballafaquar me çmimet si në vendet e tyre, kanë ngelur të zhgënjyer, kanë thënë jo se nuk qenka e lirë. Rrjedhimisht kanë shpenzuar më pak”.

Kjo pohohet edhe nga pushuesit e huaj që po rezultojnë turistë “low cost”: “Biletat e avionit janë të lira. Transporti brenda vendit dhe akomodimi gjithashtu, mirëpo ushqimet janë të kushtueshme. Nuk i ngjason promocioneve që kemi parë. Çmimet e larta do të thonë rrjedhimisht më pak shpenzime”.

Më shumë se 4. 7 milionë turistët e ardhur deri në qershor shpenzuan më pak se 2.1 miliardë euro. Krahasuar e janar-qershorin e vitit të shkuar, shpenzimet e  pushuesve të huaj u zgjeruan me vetëm 149 milionë euro apo 7.6 për qind.
Rrahman Kasa thotë: “Synimi jonë është të tërheqim turistët cilësorë. Duhet të kemi shërbim cilësor, që për fat të keq shumë pak ofrohet. Kjo ka disa arsye, por e para infrastruktura, duke filluar nga rrugët, ndriçimi, kazanët e plehrave...”.

Nga ana tjetër, shqiptarët që i kaluan jashtë pushimet deri në qershor shpenzuan plot 1.3 miliardë euro, 91 milionë apo 7.5 për qind më tepër para se një vit më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos