Bankat në vend fituan gati 37.4 miliardë lekë apo rreth 374 milionë euro vitin e shkuar. Shuma që 11 institucionet financiare në vend kanë fituar, është më e larta ndonjëherë duke u zgjeruar me 15 për qind në raport me 2023-shin.
“Arsyet janë kryesisht prej të ardhurave të realizuara nga bankat. Dy janë produktet kryesore. Kryesisht nga interesat e kredive dhe komisionet bashkë me investimet në titujt qeveritarë”, u shpreh eksperti Artur Ribaj.
Fitimet e korrura në 12 muajt e 2024-s tejkalojnë me 2 deri në tre herë shumat e arkëtuara në vitet 2020, 2021 apo 2022. Një prej arsyeve është fakti i normave ndejshëm më të larta të interesit t interesit të kredive se depozitave.
“Pra sa më tepër të rritet marzhi i interesave të depozitave të marra dhe kredive të dhëna, aq më tepër do të jetë masa e fitimit të realizuar”, shton pedagogu.
Shitblerja e pronave që ka shtyrë shqiptarët si kurrë më parë të trokasin në dyert e bankave renditet si një tjetër arsye. Kredia e re për këtë qëllim gjatë 2024 arriti në 54.9 miliardë lekë me një rritje 13 për qind në raport me 2023-shin.
“Kredi-dhënia është mbështetësi kryesor në financimin e blerjes së pronave dhe pasurive dhe duke qenë kredi ajo do të realizojë norma kthimi të konsiderueshme për bankat, të cilat po na rezultojnë në këta tregues që kemi”, tha Artur Ribaj.
Me gjithë uljen e normës bazë të interesit për lekun në 2.75 për qind nga Banka e Shqipërisë, ekspertë të tregut financiar vlerësojnë se bankat në vend do të vijojnë të korrin fitime të kënaqshme edhe këtë vit. (A2 Televizion)